Kampionati kombëtar i volejbollit për meshkuj ka kompletuar dje javën e 12-të me dy takime të zhvilluara në Shkodër dhe Tiranë, përballje që u mbyllën me fitore të skuadrave udhëtuese. Takimi i luajtur në “Qazim Dervishi” mes Vllaznisë dhe Tiranës ka qenë shumë interesant dhe shoqëruar me rivalitet të fortë.
Ndeshja në Shkodër ishte e bukur dhe me rivalitet, me setin e e parë që u vendos me pikë shtesë, 24-26 për miqtë. I dyti ishte një maratonë e vërtetë, me një seri të jashtëzakonshme pikësh shtesë, ndërsa një bllok fitues në fund nga Jula u dhuroi setin shkodranëve në shifrat 37-35.
Tirana e frenoi entuziazmin e vendësve, teksa rikaloi përpara duke fituar setin e tretë 23-25, ndërsa i mbylli llogaritë për të fituar edhe të katërtin 21-25.
Kështu, pas 2 orë e 22 minutave lojë gjithçka u mbyll me festën e kryeqytetasve. Collozo me 26 pikë dhe Aguirre me 24 ishin lojtarët që udhëhoqën Tiranën, ndërsa për Vllazninë nuk mjaftoi Sierra, autor i 30 pikëve.


