Vllaznia do e mbyllë këtë vit të aktivitetit futbollistik me ndeshjen kundër Kukësit. Dueli që do luhet ditën e enjte përballë kuksianëv do jetë i fundit për vitin 2021, e për ty rikthyer në janar me pjesën e mbetur të sezonit. Ndeshja është direkte për vendin e dytë të renditjes.
Kjo pasi si kuqeblutë ashtu edhe kuksianët janë në ndjekje të Tiranës kryesuese me 30 pikë. Nga ana e tyre Kukësi në vendin e dytë me 27 pikë e Vllaznia ndjek në të tretin me 24 pikë. Forma e të dy skuadrave është optimale dhe garanton për një ndeshje të fortë. Por ajo që shqetëson më tepër është gjendja e tapetit të stadiumit “Loro Boriçi”.
Edhe mbrëmë në ndeshjen që u zhvillua mes Kukësit dhe Partizanit në këtë impiant u vu re një fushë në gjendje të rënduar. Patjetër që moti apo edhe ndeshjet e shumta që janë zhvilluar në këtë stadium, ku përveç Vllaznisë, dy herë ka luajtur Kukësi dhe një herë Teuta kanë ndikuar në gjendjen e fushës.
Kjo shqetëson më së shumti stafin e Vllaznisë duke parë edhe stilin e futbollit që aplikojnë shkodranët. Në fushën e “Loro Boriçit” u ndërhy gjatë këtij sezoni dhe u duk se problemi u zgjidh, por sërish ka pasur mangësi.
Vllaznia gjatë këtij sezoni ka vuajtur shumë me fushat, e sidomos ato stërvitore ku disa herë ekipi është detyruar të zhvillojë seancar stërvitore në ambiente kalçetoje.
Endri ÇINARI