Esin Hakaj ka festuar 25-vjetorin e lindjes dy ditë më parë, duke marrë urime të shumta. Por, për mbrojtësin e majtë të Vllaznisë, kuptohet që dhurata më e mirë do të ishte një fitore ndaj Partizanit. Lojtari i krahut të majtë e ka speciale këtë sfidë, për vetë faktin se ka qenë pjesë e rëndësishme e të kuqve në sezonin e kaluar.
Natyrisht që ai ka nostalgji, por tashmë luan për skuadrën e qytetit të tij të lindjes dhe kuptohet që dëshiron suksesin. “Normalisht fitorja do të ishte gjëja më e bukur. Tri pikët ndaj Partizanit na vlejnë shumë për të ecur përpara. Do të ishte një dhuratë e bukur edhe për ditëlindjen time”, ka thënë fillimisht Hakaj në konferencën e djeshme për mediat.
Mbrojtësi i majtë ka qenë ndër më të mirët deri më tani, duke rezultuar afrimi më i goditur në merkaton e verës. I pyetur nëse këto janë momentet më të mira të karrierës së tij, ai u shpreh: “Shpresoj që të kem rritje dhe të ndihmoj ekipin më shumë në vazhdimësi”.
EMOCIONET
Mbrojtësi shkodran ka folur edhe për emocionet që ka kur luan përballë klubit me të cilin u aktivizua për afro 3 vite. Në verën e këtij viti ai u largua te Partizani me idenë për të luajtur në Turqi me Samsunsporin, por më pas gjërat ndryshuan dhe u rikthye te skuadra e zemrës, Vllaznia. “Kam kaluar 3 vite me fanellën e Partizanit, pavarësisht se nuk kam qenë lojtar formacioni. Tri vite janë shumë dhe normalisht që emocionet ekzistojnë. Gjithsesi, jam në qytetin tim dhe dua të fitoj çdo gjë me Vllazninë”, deklaroi Hakaj.
SHANSET
I pyetur për shanset që Vllaznia ka për të fituar këtë përballje, Hakaj foli me optimizëm. “Mendoj se kemi një ekip të mirë, pavarësisht se në shumë ndeshje kemi lënë pikë. Besoj se ekipi mund të arrijë shumë dhe mund të ecim më përpara. Natyrisht që me Partizanin nuk është ndeshje e lehtë, por unë besoj shumë se do të fitojmë”.
PRETENDIMET
Hakaj ka komentuar edhe për pretendimet që ka Vllaznia këtë sezon. Ai nuk kërkon që të flasë që tani për titullin kampion, por ia lë gjithçka vazhdimësisë së sezonit. “Nuk mund të them se do të fitojmë titullin, pasi nuk i dihet futbollit, por e di që jemi pretendentë kryesorë. Do kohë që kampionati të përfundojë, kështu që ne duhet të marrim gjithçka sipas radhës. Çdokush do të ketë mundësitë e veta, por ne duhet të shikojmë punën tonë”, theksoi titullari i kuqebluve.
TIFOZËT
Në fund, mbrojtësi i majtë ka dhënë edhe një mesazh për tifozërinë shkodrane. “Besoj se tifozët do të jenë të shumtë dhe shpresoj që të dalim me fitore. Me mbështetjen e tyre, natyrisht që do të jetë një shtysë e madhe. Uroj që t’i kënaqim me fitore”, përfundoi Hakaj.