Nga Endri ÇINARI

Ditën e premte, në orën 20:45, kombëtarja shqiptare e futbollit do rikthehet në fushën e blertë. Kuqezinjtë që në qershor do udhëtojnë drejt Gjermanisë për Euro 2024, po zhvillojnë përgatitjet e fundit përpara turneut madhor. Ekipi i Sylvinhos do luajë dy ndeshje miqësore në muajin mars. Ku fillimisht këtë të premte do jetë ndeshja kundër Kilit e ndërsa të hënën miqësorja kundër Suedisë.

Për tu ndalur tek përballja me latinët, ku shikohet si një provë mjaft interesante. Kjo edhe për shkak të ndeshjeve shumë të pakta që Shqipëria ka zhvilluar në vite ndaj kombëtareve latine. Kështu në historinë e saj, kombëtarja kuqezi ka 3 ndeshje miqësore me ekipet nga Amerika latine. Kështu miqësorja e parë me një skuadër latine është zhvilluar në vitin 1988.

Në stadiumin “Tomori” të Beratit, Shqipëria ka barazuar me shifrat 0-0 kundër Kubës. Në vitin 2002, Shqipëria do ishte mike në Meksikë për tu përballur me vendasit. Kuqezinjtë do mposhteshin me rezultatin e thellë 4-0. Ndeshja më luks që ka zhvilluar Shqipëria me ekipet përtej oqeanit është ajo kundër Argjentinës në vitin 2011. Shqipëria do mposhtej me rezultatin 4-0 nga Messi & CO.

Ndeshja kundër Kilit do jetë e katërta në histori ndaj skuadrave latine. Kjo si një mundësi jo vetëm për të shikuar formën e futbollistëve në prag të europianit. Por edhe si një mundësi për të “thyer akullin” dhe marrë ndoshta fitoren e parë në të gjitha vitet kundër ekipeve kombëtare nga Amerika latine.