Shkruar nga Endri ÇINARI
Në prag të ndeshjes së parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë ndaj Bylisit, Vllaznia po përgatitet për një duel që, ndonëse në letër duket i përballueshëm, pritet të ketë jo pak vështirësi. Sfida e së martës vjen në një moment delikat të sezonit, ku kuqeblutë janë të angazhuar fort edhe në kampionat dhe objektivat mbeten të larta në të dy frontet. Përballë një Bylisi luftarak, shkodranët duhet të gjejnë ekuilibrin mes rezultatit dhe menaxhimit të energjive.
Trajneri Martini duket se ka zgjedhur pikërisht këtë qasje, duke mos rrezikuar të gjithë titullarët e zakonshëm. Me ndeshjen e rëndësishme të së dielës në kampionat kundër Elbasanit në horizont, stafi teknik pritet të aplikojë një rotacion të kontrolluar. Një vendim që tregon qartë se Vllaznia po mendon në perspektivë, pa e nënvlerësuar aspak Kupën, por duke shmangur lodhjen apo dëmtimet e panevojshme.
Në portë, gjithçka tregon se besimi do t’i jepet Jukajt, me Pohls që pritet ta nisë ndeshjen nga stoli. Edhe reparti i mbrojtjes do të pësojë ndryshime, ku Pusi ka shumë gjasa të aktivizohet që nga minuta e parë, duke formuar treshen defensive së bashku me Gurishten dhe Bajramin. Nga krahët, në të djathtë pritet Kastrati, ndërsa në të majtë Jago mbetet favoriti, edhe pse Hakaj mbetet një alternativë reale për formacionin startues.
Mesfusha do të jetë një tjetër repart ku pritet “pushim” për disa nga emrat kryesorë. Krymi dhe Kallaku, sipas të gjitha gjasave, nuk do të aktivizohen nga minuta e parë, me treshen Sala–Qato–Murataj që pritet të mbajë peshën e lojës në këtë sektor. Një mesfushë me më shumë energji dhe dinamizëm, e menduar për të përballuar intensitetin e kundërshtarit dhe për të ruajtur kontrollin e topit.
Edhe në repartin ofensiv priten risi. Balaj, sulmuesi kryesor, me shumë mundësi do të lihet në stol, ndërsa sulmi do të udhëhiqet nga Bismark. Mbetet për t’u parë se cili nga Dodaj apo Mala do të jetë partneri i tij në vijën e avancuar, me Dodajn që aktualisht duket paksa më i avantazhuar. Në çdo rast, Vllaznia pritet të zbresë në fushë me një formacion konkurrues, që synon të marrë një rezultat pozitiv dhe të hedhë një hap të sigurt drejt gjysmëfinales, pa humbur fokusin nga beteja e kampionatit.


