ërbuni ka arritur të fitojë me shifrat 2-3 me përmbysje, në ndeshjen e sotme të javës së katërt të Kategorisë së Parë ndaj Besëlidhjes në Lezhë. Kjo ndeshje tregoi se pukjanët kanë krijuar një grup të mirë dhe se do të luftojnë fort për t’u ngjitur një kategori më lart ndoshta, pse jo.
Ndeshja u luajt e bukur dhe nga minuta në minutë, aksionet ishin të shumta. Skuadra e Tërbunit, e drejtuar nga trajneri Alert Alçani, ka krijuar më shumë raste për shënim dhe ia ka dalë të marrë një fitore me përmbysje, nga 2-0 në 2-3.
Sa i takon ndeshjes, Besëlidhja ka kaluar e para në avantazh me anë të mbrojtësit brazilian Arthur, që realizoi nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 11-të. Lezhjanët nuk do të ndaleshin me kaq dhe në të 14-tën, dyfishojnë shifrat me sulmuesin brazilian, Icario, që dërgon shifrat në 2-0 për Besëlidhjen.
Tërbuni nuk vonon dhe reagon shpejt, teksa Hysa ngushton diferencën në 2-1 pas vetëm një minute. Më pas, në minutën e 33-të, do të ishte mesfushori shkodran, Tafili, i cili do të barazonte shifrat në 2-2. Pjesa e parë do të mbyllej me këtë rezultat.
Ndërkohë, në pjesën e dytë, trajnerët Bruka dhe Alçani lëvizin diçka në formacionet e tyre në kërkim të fitores. Megjithatë, një gjë të tillë do të arrinte ta siguronte vetëm ekipi i Tërbunit, teksa në minutën e 85-të, sulmuesi Xhabrahimi shënon edhe golin e tretë për pukjanët, duke dërguar shifrat në 2-3 për miqtë.
Ndërkohë, duhet thënë se përpara golit të Tërbunit, të dy ekipet kishin mbetur me 10-futbollistë në fushën e lojës, pasi Arthur dhe Mbaba dolën me kartonë të kuq nga fusha e lojës pas një konflikti mes tyre.
Më pas, pavarësisht përpjekjeve të Besëlidhjes për të barazuar ndeshjen, lezhjanët nuk ia dolën dot dhe ndeshja u mbyll me rezultatin 2-3 për ekipin pukjan. Pas kësaj fitoreje me shumë vlera, Tërbuni renditet në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit me tetë pikë, ndërsa Besëlidhja pozicionohet në vendin e tetë me vetëm katër pikë. /Maringlen ZHIVANI/
Besëlidhja-Tërbuni 2-3
Golat: Arthur (pen) 11’, Icaro 14’ / Hysa 15’, Tafili 33’, Xhabrahimi 85’
Besëlidhja (4-4-2): Demi, Metaliaj (Pjetraj 87’), Arthur, Dibra, Zere, Përgjoni (Dodani 46’), Hepaj, Bruka (Gjuzi 86’), Gjoka (Danaj 74’), Icaro,
Shehu (në dispozicion: Kodra, Veseli, Trokthi, Therçaj, Marku, Gjikolaj) Tr: Alban Bruka
Tërbuni (4-4-2): Vata, Ruqi, Peqini, Hoxhaj, Metani, Filipi (Mbaba 63’), Tafili, Baholli (Mezini 63’), Saliaj (Xhakaj 51’), Xhabrahimi, Hysa (Zagani 90’) (në dispozicion: Marku, Bakalli, Duka, Palushi) Tr: Alert Alçani
Kartonë të verdhë: Arthur 38’, 76’ / Peqini 13’, Filipi 40’, Hoxhaj 53’, Xhakaj 60’, Mbaba 73’, 76’
Kartonë të kuq: Arthur 76’ / Mbaba 76’