Futbollistët me origjinë kuksiane numërohen me gishtat e dorës në Superligë. Të rrallë janë ata që kanë bërë emër nga qyteti verilindor, por një ndër ta është Fjoart Jonuzi. 25-vjeçari që në javën e fundit realizoi një supergol kundër Dinamos, prej dy sezonesh mbron ngjyrat e Vllaznisë.
E dita e dielë do e vërë përballë qytetit, por edhe skuadrës ku u formua, pikërisht Kukësit. Mesfushori e ka nisur karrierën tek ekipi i vendlindje në vitin 2013, për të vijuar deri në vitin 2017. Më pas në vitet 2017-19 luajti për ekipin e Laçit, para transferimit në Kosovë tek Gjilani në sezonin 2019-20.
Prej 2 sezonesh, mesfushori që dallohet për pasimet e sakta, por edhe shpirtin luftarak është pjesë e Vllaznisë. Një nga titullarët e skuadrës ku rrallë herë e kemi parë jashtë formacionit në këto 2 sezone. Duke shfaqur një futboll konstant dhe një ritëm të kënaqshëm për futbollin tonë, Jonuzi është shndërruar në protagonistët e Vllaznisë.
Tashmë të dielën ndoshta ndjenjat do jenë të përziera për Jonuzin i cili do vihet përballë së shkuarës. Tek Vllaznia presin një tjetër “bombë” nga ai në ndeshjen e rradhës. Njësoj si ajo kundër Dinamos ditën e hënë në “Loro Boriçi”.
Endri ÇINARI