Wednesday, February 25, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORENdeshjet në Shkodër, Vllaznia nuk humbet prej 3 muajsh

Ndeshjet në Shkodër, Vllaznia nuk humbet prej 3 muajsh

Shkruar nga Endri ÇINARI

Tre muaj pa humbje në “shtëpi” janë treguesi më i qartë i ringritjes së Vllaznisë në këtë fazë të sezonit. Që prej disfatës 0-1 ndaj Teutës, në javën e 13-të të kampionatit, më 28.11.2025, shkodranët kanë ndërtuar një ecuri mbresëlënëse që i ka kthyer ndeshjet si pritës në një fortesë të vërtetë. Ajo mbrëmje e fund nëntorit mbetet e fundit herë që kuqeblutë janë larguar të zhgënjyer nga sfidat e luajtura në rolin e ekipit vendas.

Që nga ai moment, janë zhvilluar shtatë takime me Vllazninë në cilësinë e pritësit, duke përfshirë edhe përballjen ndaj Vorës, e cila, ndonëse u luajt në fushën e kundërshtarit, u konsiderua si ndeshje “shtëpie” për shkodranët. Bilanci flet qartë: gjashtë fitore dhe vetëm një barazim, mes kampionatit dhe Kupës, një seri që ka rikthyer entuziazmin te tifozët dhe ka forcuar besimin brenda grupit.

Në këto përballje, Vllaznia ka shfaqur stabilitet në mbrojtje dhe efikasitet në sulm, duke ditur të menaxhojë si ndeshjet e forta, ashtu edhe ato ku ka qenë favorite në letër. Skuadra ka treguar pjekuri taktike dhe qartësi në objektiva, elementë që kanë bërë diferencën në momente kyçe. Fusha, atmosfera dhe mbështetja e tifozëve janë shndërruar në një shtysë shtesë për kuqeblutë.

Seria pozitive ka ndikuar ndjeshëm edhe në renditje, duke e mbajtur Vllazninë në garë për objektivat madhorë të sezonit. Në Kupë, ambicia për të shkuar sa më larg është po aq e fortë, ndërsa në kampionat çdo pikë në shtëpi konsiderohet jetike. Fakti që ekipi nuk njeh humbje prej tre muajsh në këtë rol, është një sinjal i qartë për çdo kundërshtar.

Tashmë vëmendja është përqendruar te sfida e radhës ndaj Tiranës, që do të luhet të premten në orën 19:00. Një përballje me peshë dhe histori, ku shkodranët synojnë të zgjasin serinë e pathyeshmërisë dhe të konfirmojnë edhe një herë se “shtëpia” mbetet territori i tyre. Tradita e ndërtuar në këto tre muaj është një kapital i çmuar, që Vllaznia kërkon t’a mbrojë me çdo kusht.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments