Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia duket se ka thyer më në fund “tabunë” e transfertave. Ajo që për shumë javë ishte pika më e dobët e shkodranëve, tani po shndërrohet në një armë plus për skuadrën kuqeblu. Në dy fazat e para të kampionatit, 9 herë kampionët e vendit kishin arritur vetëm një fitore jashtë Shkodrës, 0-1 ndaj Bylisit në javën e 7-të, një bilanc që nuk përputhej aspak me pretendimet dhe potencialin e ekipit.
Vështirësitë në transfertë kishin shoqëruar Vllazninë për një periudhë të gjatë, ku mungesa e qetësisë, gabimet individuale dhe pamundësia për të administruar ndeshjet larg “Loro Boriçit” i kishin kushtuar pikë të rëndësishme. Pikërisht këto mangësi u reflektuan në renditje dhe shtuan presionin mbi skuadrën, e cila dukej se e kishte më të vështirë të shfaqte identitetin e saj jashtë fushës së vet.
Por starti i vitit 2026 dhe nisja e fazës së tretë të kampionatit sollën një Vllazni ndryshe. Skuadra e drejtuar nga Martini reagoi fuqishëm, duke korrigjuar gabimet e së shkuarës dhe duke treguar më shumë pjekuri taktike. Fitorja 0-2 ndaj Dinamos në javën e 20-të ishte sinjali i parë i qartë se diçka kishte ndryshuar në mentalitetin e kuqebluve.
Ky ndryshim u konfirmua edhe në javën e 22-të, kur Vllaznia triumfoi 0-1 ndaj Teutës në Durrës. Një ndeshje e fortë dhe e luftuar, ku shkodranët treguan organizim të shkëlqyer, disiplinë në mbrojtje dhe efikasitet maksimal në momentet vendimtare. Një fitore që kishte vlerë jo vetëm për tre pikët, por edhe për besimin që i dha ekipit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


