Joshua Zirkzee ishte shënjestra e tifozëve pas atij veprimi të bërë në ndeshjen miqësore kundër Ajaksit. Sulmuesi i Bajernit driblon portierin kundërshtar, por më pas nuk e shtyn topin në portën e zbrazët, pasi vendos të hyjë bashkë me të përtej vijës fatale.
Plani nuk i rezultoi i suksesshëm, teksa mbrojtësi i Ajaksit do të vinte nga pas për ti mohuar kështu një gol të sigurt.
Arroganca e 20-vjeçarit ka ndezur edhe zemërimin e tifozëve, të cilët nuk i kanë kursyer aspak kritikat dhe ofendimet në adresë të tij.
Për këtë arsye, Zirkzee ka vendosur të zhduket nga rrjeti i tij social në “Instagram“. Futbollisti holandez ka fshirë të gjitha postimet në profilin e tij pas atij episodi të ndodhur në miqësoren me Ajaksin.