Vllaznia arriti fitoren e 4-ët në 5 ndeshjet e fundit me sukesin kundër Skënderbeut në shifrat 2-0. Shkodranët tashmë në kuotën e 23 pikëve janë vënë fuqishëm në garë në ndjekje të kryesuesve të Tiranës. Bardheblutë kryeqytetas ndodhen në krye të tabelës me 27 pikë të grumbulluara.
Por të rikthehemi tek Vllaznia dhe periudha e mirë që po kalon në këto momente. Jo vetëm fitoret dhe lojërat e mira, por në javët e fundit edhe mbrojtja ka treguar një nivel shumë të mirë. Për herë të parë në këtë sezon, Vllaznia nuk ka pësuar gol në dy ndeshje rradhazi.
Kuqeblutë kanë mbajtur portën e paprekur në takimet kundër Partizanit dhe Skënderbeut mbrëmë. Një statistikë që tek 9 herë kampionët e vendit nuk ndodhte në këtë edicion.
Dyshja e qendrës me Adilin dhe Diagne është një “digë” e pakalueshme, ku si afrikani dhe shkupjani kuptohen me sy mbyllur me njëri-tjetrin.
Po ashtu krahët me Gurishten dhe Hakajn janë “pistonat” që po bëjnë shumë mirë në takimet e fundit. Apo edhe Arsid Kruja që u aktivizua në krahun e djathtë kundër Skënderbeut ka treguar stabilitet. Mbrojtja po kthehet një pikë e fortë e Vllaznisë, njësoj si në sezonin e shkuar.
Tashmë skuadra po gëzon formën e duhur dhe të gjithë tifozët shkodranë janë optimistë që Vllaznia do marrë edhe dy fitore të tjera. Kjo edhe për të mbyllur vitin sa më mirë dhe pjesë e vendeve të larta të renditjes tabelare.
Endri ÇINARI