Java e 14-të e Superligës u mbyll sonte me takimin mes Tiranës dhe Teutës të mbyllur në shifrat 2-1 për bardheblutë.
Ky raund i kampionatit na solli disa përballje të forta, por edhe direkte mes ekipeve të elitës së futbollit tonë. Një nga takimet më interesante ishte edhe Dinamo-Vllaznia që u mbyll 0-0.
Po ashtu Kukësi që përmbysi rezultatin ndaj Partizanit duke fituar në shifrat 2-1 ishte takimi më emocionues. Përballja direkte e mbijetesës mes Skënderbeut dhe Kastriotit përfundoi me fitoren e korçarëve me rezultatin 2-1. Egnatia vazhdon me krizën ku u mund nga Laçi 0-2.
Këto ishin edhe çiftet që ishin përballë këtë javë, ju bie në sy një statistikë shumë e veçantë. Kjo ishte java e parë e kampionatit ku në asnjërën prej ndeshjeve nuk ka pasur penallti. Arbitrat nuk kanë akorduar asnjë goditje 11 metërshi për asnjërën nga skuadrat e kampionatit.
Një rekord ky për këtë sezon që shënon javën e parë ku nuk akordohet asnjë penallti. Kjo tregon se ekipet po tregohen të kujdesshme në një moment kur gara po ashpërsohet akoma më tepër. Gjithashtu edhe vendimet e arbitrave këtë javë nuk kanë ngjallur polemika, duke treguar saktësi dhe korrektësi në vendimet e tyre.
Endri ÇINARI