Emanuele Ndoj e nisi sezonin më vonë se të tjerët te Breshia, duke qenë se pak ditë para se të niste kampionati italian, pësoi një dëmtim në miqësore. Megjithatë, ai arriti ta kalonte atë problem dhe u kthye në titullar te Breshia, teksa për mesfushorin kuqezi janë shfaqur të tjera probleme tashmë.
Ndoj ka pësuar një dëmtim në ndeshjen e fundit kundër Sasuolos dhe nesër nuk do të jetë i gatshëm për skuadrën e tij. Breshia luan në transfertë kundër Parmës dhe fitorja është detyrim për të mos e mbyllur vitin në zonën e ftohtë duke rrezikuar seriozisht rënien nga kategoria.
Në këtë ndeshje, skuadra e Breshias duhet të bëjë pa mesfushorin shqiptar dhe vetë trajneri e konfirmoi mungesën e tij. “Ndoj ka pësuar një dëmtim të lehtë në ndeshjen kundër Sasuolos dhe nuk do të jetë i pranishëm ndaj Parmës”, u shpreh trajneri Korini. Breshia luan nesër ndeshjen e fundit të vitit pasi skuadrat do t’i drejtohen pushimeve të fundvitit. /VipSport/