Laçi ka nisur përgatitjet për ndeshjet e kupave te Europës. Ditën e djeshme trajneri Besnik Prenga është prezantuar para lojtarëve dhe ka thënë fjalët e para si trajner.

Siç ndodh zakonisht, disiplina dhe përkushtimi në stërvitje janë dy nga elementët që çdo teknik i kërkon dhe kësaj “tradite” nuk i ka shpëtuar as Prenga, i cili vjen në Superiore pas një eksperiencë në Kroaci me Luçkon.

Më pas lojtarët kanë ndjekur programin stërvitor, që nuk është se ka qenë i lehtë në aspektin fizik, edhe pse është punuar kryesisht me topin.

Nuk ka shumë kohë për të humbur, ndaj lojërat do të jenë pjesë e thuajse çdo seance stërvitore.

Ne kete seance ka qene i pranishem edhe mesfushori shkodran Ndriçim Shtubina ndonese per te u fol se mund te kalonte ne Kosove

Shkodrani, i cili luan në disa pozicione në fushën e blertë, ishte ditën e djeshme në stërvitje me kurbinasit.

Sikurse dihet, para pak kohësh ai ka marrë një ofertë nga Trepça ’89, pasi është trajneri Gugash Magani që e do në ekip. Ka pasur një dakordësi edhe me Laçin për të lëvizur, por edhe me klubin nga Mitrovica, por ende nuk ka firmosur, kështu që Shtubina ka dalë në stërvitje me bardhezinjtë, ku edhe e mbylli sezonin.

Ai në asnjë moment nuk e ka fshehur faktin që ndihet mirë në Laç, ndaj nëse nuk kalon në Kosovë, pritet të qëndrojë pjesë e kurbinasve. Për momentin asgjë nuk është vendosur përfundimisht./sport-ekspres/