Futbolli në Europë do të ndryshojë në mënyrë radikale në vitet e ardhshme, me propozimet e fundit që janë miratuar nga UEFA pas propozimit të organizatës që bashkon klubet në kontinent, ECA. Por kjo e fundit po përgatitet për ndryshime të tjera më të rëndësishme, të cilat duhet të garantojnë të ardhura më të mëdha dhe për këtë arsye, presidenti i ECA-s, Andrea Anjeli, njëkohësisht edh president i Juventusit, ka ftuar klubet anëtare që të jenë pjesë e një Asambleje të veçantë në qershor në Maltë.

Anjeli u ka dërguar një ftesë të gjithë anëtarëve të ECA për t’u shpalosur atyre planin që ekziston për modifikimin e futbollit europian në vitet 2021-2024, por edhe duke i treguar propozimet që do të bëhen për modifikime të tjera duke filluar nga viti 2024. Klubeve u është kërkuar që të bëjnë propozimet dhe kërkesat e tyre, pasi kjo Asamble do të jetë më shumë një forum për të ndarë idetë mbi rrjedhën e ngjarjeve dhe zhvillimin si duan klubet të futbollit në kontinent.

Prej kohësh diskutohet që ECA kërkon ndryshimin e Ligës së Kampioneve që ta kthejë në një superkampionat ku marrin pjesë vetëm skuadrat elitare. Por për të evituar pakënaqësi e përçarje, Anjeli do që t’u shpjegojë të gjithë anëtarëve, 232 të tillë, ndryshimet që propozohen dhe që e bëjnë të hapur Ligën e Kampioneve për të gjithë, jo vetëm për një grup të caktuar e të pandryshueshëm skuadrash.

Mes anëtarëve të cilëve u ka mburritu kjo letër dhe kërkesa për propozim nga Anjeli, janë edhe dy klube shqiptare, Kukësi dhe Vllaznia. Klubi i Kukësit është anëtar me të drejta të plota në ECA-s, ndërsa ai i Vllaznisë vlerësohet si i anëtarësuar, por jo me të drejta të plota sa u përket votimeve të veçanta. Përfaqësues nga të dy klubet shqiptare do të marrin pjesë në këtë Asamble të thirrur nga presidenti i Juventusit në qershor në Maltë. /vipsport/