Ishte menduar ndryshe qe te kishte grumbullim pikesh ne mes 4 skuadrave pjesmarrese te “Final Four” dhe ne fund ajo qe do te grumbullonte me shume pike do ishte kampione, por kjo skeme ka ndryshuar tashme.

Kampionia e këtij sezoni do të shpallet me një skemë të ngjashme si të Kupës pas përfundimit të kampionatit, që do të thotë fillimisht ka një gjysmëfinale dhe më pas një finale për titullin.

Në këtë “play off” favorizohen në ndeshjen e parë që konsiderohet si gjysmëfinale skuadrat e renditura më mirë pas 36 javëve, të cilave u mjafton edhe barazimi për të kapur finalen. Më pas në finale do të jetë siç ndodh në Kupë, ku nëse do të ketë barazim brenda kohës së rregullt, do të ketë edhe shtesë apo penallti.

Skuadrat e eliminuara do të zhvillojnë një finale mes tyre për të përcaktuar ekipin e vendit të tretë që merr pjesë në Ligën e Konferencës.

SI DO TË JETË “FINAL 4”- Por si do të jetë zyrtarisht “Final 4”? Pas përfundimit të 4 fazave, skuadrat e renditura në vendet 1, 2, 3 dhe 4 do të zhvillojnë ndeshje “play off” sipas shortit më poshtë:

* Në vazon e parë do të jenë ekipet e renditura në vendet 1 dhe 2, ndërsa në vazon e dytë ekipet e renditura në vendet 3 dhe 4; Ndeshjet do të zhvillohen me një takim në stadiumin “Air Albania”. Në rast barazimi pas 90 minutave të lojës së rregullt, skuadra e renditur më mirë në klasifikim kualifikohet për në ndeshjen finale.

* Dy ekipet finaliste do të zhvillojnë ndeshje me një takim në stadiumin “Air Albania” për të përcaktuar ekipin kampion. Në rast se do të ketë barazim pas 90 minutave të lojës së rregullt do të ketë: Shtesë 2 x 15 minuta ose penallti. Për të përcaktuar emërtimin e ndeshjes finale “Final 4”, do të hidhet short i lirë.

* Dy ekipet e eliminuara do të zhvillojnë ndeshje me një takim në stadiumin “Air Albania” për të përcaktuar ekipin e vendit të tretë, i cili do të jetë pjesëmarrës në turin e parë të Conference League. Për të përcaktuar emërtimin e ndeshjes së vendit të 3-të të “Final 4”, do të hidhet short i lirë. Në rast se do të ketë barazim pas 90 minutave të lojës së rregulltë do të ketë shtesë 2 herë nga 15 minuta ose penallti.