Elseid Hysaj ka hyrë në vitin e tij të fundit të kontratës me Lacion dhe tashmë pritet që brenda pak kohësh, të zgjedhë ku do të vazhdojë karrierën e tij. Sipas mediave italiane, në skenë ka dalë një opsion interesant.

Bëhet e ditur se klubi iranian i Persepolis, po sheh me interes situatën e futbollistit, teksa kërkon të dijë nëse është i gatshëm për një transferim që në muajin janar. Persepolis është një prej klubeve më të njohura iraniane që kërkon të luftojë për objektiva të rëndësishëm ndaj afrimi i Hysajt do të ishte një investim i rëndësishëm.

Kohët e fundit në Iran janë transferuar Jasir Asani dhe Regi Lushkja, ndaj duket se kampionati në fjalë po monitoron futbollin shqiptar, në klube dhe Kombëtare. Mbetet të shihet nëse Hysaj do të preferojë një destinacion të tillë, pas një karriere të tërë të kaluar në futbollin italian.

Një tjetër çështje për t’u zgjidhur është edhe ajo e pagës, nëse bëhet fjalë për një largim në mes të sezonit nga Lacio, pasi ai aktualisht përfiton atje 2,8 milionë euro në sezon.