Dje është prezantuar tek Teuta, por braziliani Xhekson Ferreira mësohet se ka qenë shumë pranë Vllaznisë dhe vetëm në momentet e fundit ka ndryshuar mendim. Mbrojtësi i majtë që më parë ka luajtur me Luftëtarin dhe së fundi në Kosovë me Gjilanin, ishte shumë pranë firmës me kuqeblutë.

Në fakt e përmendi edhe vetë drejtori Djarmati dje në konferencën për shtyp kur deklaroi se “kemi qenë shumë pranë akordit me një tjetër lojtar, por ai ndryshoi rrugë në momentin e fundit”.

Ferreira është prezantuar në Durrës dhe në një prononcim të dhënë për mediat, ka shpjeguar edhe arsyen që e çoi në marrjen e këtij vendimi dhe mosfirmosjen në Shkodër.

“E vërteta është se unë me 99 % isha lojtar i Vllaznisë, por në momentin e fundit vendosa të vija në Durrës, pasi asnjë klub
tjetër në Shqipëri nuk është kaq shumë i organizuar sa Teuta.

Gjithashtu këtu gjej edhe disa lojtarë me të cilët kam luajtur më parë si Aleksi, Hoxha, Bregu e Plaku. Pastaj edhe trajneri ka dashur që unë të vij këtu dhe të gjitha këto arsye, bënë që unë të zgjedh Teutën”- ka deklaruar Ferreira./SHKODRA-SPORT.COM/