Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë U-21, Alban Bushi, publikoi ditën e sotme listën e futbollistëve që do të ketë në dispozicion për ndeshjen miqësore kundër Bullgarisë, që do të luhet në stadiumin ‘Elbasan Arena’ më 20-qershor. Në listën e publikuar nga Bushi shihet grumbullimi i futbollistit të Vllaznisë, Antonio Delaj, që realisht është një lojtar shumë premtues për të ardhmen.
Megjithatë, ajo që është deri diku “anormale” në këtë listë, është lënia jashtë e dy prej futbollistëve më të mirë shkodranë dhe të talentuar që luajnë aktualisht në Abissnet Superiore. Kështu, bëhet fjalë për talentin e skuadrës së Vllaznisë, Rejan Alivoda dhe qendërmbrojtësin shkodran të Partizanit, Marçelino Preka.
Në fakt, që të dy me lojën e tyre në këtë edicion të kaluar, janë vlerësuar nga të gjithë dhe konsiderohen dy nga talentet e së ardhmes. Madje, nuk kanë munguar edhe ofertat nga disa klube jashtë Shqipërisë për të pasur në skuadrën e tyre këto dy talente, që edhe për këtë sezon do të vijojnë karrierën e tyre tek Vllaznia dhe Partizani rrespektivisht.
Megjithatë, pavarësisht lojërave të tyre të shkëlqyera dhe vlerësimeve të marra nga njerëzit e futbollit, për trajnerin e Kombëtares së Shqipërisë U-21, Alban Bushi, ata kanë mbetur jashtë planeve. Arsyen e mungesave të Alivodës dhe Prekës, trajneri Bushi e ka shpjeguar në konferencën e sotme për shtyp.
“Alivoda dhe Preka nuk vijnë për arsye teknike dhe në qendër të mbrojtjes do të shohim këtë rradhë tre futbollistë të rinj që kemi grumbulluar për herë të parë”,-shpjegoi trajneri i Kombëtares së Shqipërisë U-21, Alban Bushi.
Maringlen ZHIVANI