Futbollistët e Vllaznisë një ditë pas fitimit të Kupës, kanë marrë pushimet dhe do të vazhdojnë të jenë larg fushës së stërvitjes edhe për një javë tjetër. Një ditë më vonë pastaj, ata do t’i rikthehen sërish stërvitjes, për të nisur edhe përgatitjet për ndeshjet e Kupave të Europës. Por ndërkohë deri në këto momente ende nuk është e qartë se cilët do jenë në stërvitje më 15 qershor. Kjo pasi janë shumë futbollistë të cilët janë të paqartë për të ardhmen e tyre.
Duke filluar nga portieri Zogoviç që ende nuk ka rinovuar, ndonëse akordi duket shumë pranë. Në mbrojtje ndërkohë, i vetmi që është nën kontratë është kapiteni Gurishta, ndërsa nuk dihet se çfarë do të ndodhë me Adlin, Bulatoviç e Hakaj. Në mesfushë është larguar Krymi dhe me shumë mundësi do të largohet edhe Jonuzi, ndërkohë që në repartin ofensiv edhe për brazilianin Da Silva ka paqartësi për të ardhmen.
Në këto rrethana, numri i futbollistëve të cilët janë të gatshëm për t’iu bashkuar ekipit në stërvitje për momentin është shumë i reduktuar. Drejtuesit e klubit ndërkohë po vazhdojnë negociatat për të plotësuar ekipin me lojtarët e duhur, por deri tani nuk ka asnjë firmë në kontratë.
Presidenti Xhaferi e ka bërë të ditur edhe publikisht se Vllaznia nuk do i lutet asnjë futbollisti për të firmosur dhe në këto rrethana, duhet pritur se çfarë do ndodhë. Kjo periudhë edhe në vitet e mëparshme ka treguar se është shumë e vështirë sepse lojtarët ndodhen mes pushimeve dhe rrëmujës që shkaktojnë menaxherët.
Në Shkodër kanë por edhe nuk kanë shumë kohë në dispozicion për t’i pritur lojtarët. Ndeshja e parë e “Conference League” do të luhet më 21 korrik dhe trajneri Josa e ka bërë të qartë se nuk do të marrë lojtarë vetëm për Kupat e Europës, por ata që do të vijnë, do të jenë pjesë e skuadrës edhe në sezonin e ri. Për këtë arsye, tifozët e Vllaznisë duhet të presin sërish për të mësuar të reja të tjera në lidhje me merkaton e skuadrës së tyre të zemrës./SHKODRA-SPORT.COM/