Goli i Ardit Hoxhajt në minutën e 92-të i ka dhënë Vllaznisë një fitore me shumë vlerë ndaj Kastriotit. Dhe jo vetëm se skuadra mori tre pikët e saj e po ashtu edhe vendin e parë në renditje. Por më së shumti sepse u rikthye në fushë ajo skuadra me grintë e karakter e cila kishte munguar prej disa javësh.

Ndonëse ende jo me lojën e saj të bukur, por e rëndësishme në këto momente ishte që Vllaznia të rikthehej. Pas 5 javësh pa fitore, ajo e gjeti atë dhe bashkë me të edhe rikthimin në vendin e parë në tabelën e klasifikimit. Vllaznia do ta presë tashmë e qetë Partizanin.

Stafi teknik ka dy javë kohë ta përgatisë këtë ndeshje dhe kuptohet që edhe situata në skuadër do të jetë shumë më e qetë. Janë në vend të parë dhe gjithçka flet në favorin e tyre. Tashmë nuk është më vendi të flitet as për largimin e trajnerit dhe as për gjoba.

Të gjithë duhet të jenë të fokusuar tek puna sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’ia dalin të mbajnë sërish vendin e parë. Duke qenë më të qetë, padyshim që pritet të rikthehet edhe loja e bukur e nëse ndodh edhe kjo, kuptohet që Vllaznia ka për të qenë pretendentja kryesore për fitimin e titullit kampion.

Njëkohësisht edhe Kupës së Shqipërisë sepse ndodhet në gjysmëfinale dhe ka shumë shanse për të patur sukses edhe në këtë kompeticion. Por për t’i synuar të dy këto trofe, duhet rikthyer sërish skuadra e fillim-sezonit. Shenjat për këtë u dhanë që në Kamëz, por duhen konfirmuar në sfidën e ardhshme ndaj Partizanit.