Altin Haxhi ishte një nga emrat më të lakuar të mediave në ditët e fundit, për shkak se ish-mbrojtësi i Kombëtares nuk u përfshi në listën e Kombëtares për ndeshjen e yjeve.
44-vjeçari ka dhënë një kontribut të madh për ngjyrat kuqezi, teksa ka zhvilluar edhe 67 takime me Shqipërinë, duke realizuar edhe tre gola.
Haxhi e tregoi hapur pakënaqësinë për ftesën e munguar, megjithatë së fundmi ish-futbollisti ka bërë një tjetër arritje.
Sipas gazetarit Metodi Shumanov, ish-mbrojtësi i është bashkuar klubit bullgar të CSKA Sofia si një nga drejtorët e akademisë.
Haxhi ka një lidhje të ngushtë me Bullgarinë teksa në të kaluarën e tij si futbollist është aktivizuar pikërisht me CSKA Sofia, por edhe me Liteksin.
Kështu, gjirokastriti ka nisur një etapë të rëndësishme në karrierë, teksa i është besuar një rol i lartë në gjigandët e futbollit bullgar. /VipSport/