Merkatoja e janarit do të prekë shumë edhe klubet e Kategorisë Superiore. Pas largimit të Jasir Asanit në drejtim të AIK, Partizani mund të përballet edhe me një tjetër largim gjatë kësaj periudhe.

Të kuqtë mund të humbasin edhe sulmuesin shkodran, Erald Çinari që kërkohet në kampionatin turk.

Menemenspor është klubi që ka shprehur interesim për sulmuesin e të kuqve, ndërkohë që mediat turke raportojnë se bisedimet mes palëve kanë nisur.

Klubi që ka në përbërje edhe portierin Gentian Selmani provon që të forcohet më shumë në merkaton e janarit për të lehtësuar rrugën për ngjitje në Superligën turke.

Menemenspori e sheh veten në vendin e katërt në klasifikim me 2 pikë më pak se vendi i dytë që e ngjit në Superligë dhe 8 më pak se vendi i parë. në këtë skuadër, Selmani është kthyer në titullar duke qenë edhe protagonist me fanellën e skuadrës turke. /VipSport/