Viti po mbyllet në mënyrë mjaft negative për Kastriotin, që është i fundit në Superiore dhe ka probleme pa fund, duke nisur nga dyshimet për tolerim të hapur në ndeshjen kundër Teutës.

Për fat, renditja është ende shpresëdhënëse, ndërsa trajneri Stavri Nica nuk është larguar, edhe pse u mendua se javën e shkuar do të dorëhiqej.

Trajneri i njohur kërkon revolucion në ekip në janar dhe klubi krutan do t’i japë dorë të lirë, por ndërkohë skuadra është bërë gjysmake, sepse javë pas jave ka pasur largime e përjashtime.

Alexandros Rahim u largua i pari, sepse nuk pranonte të jetonte në Krujë, ndërsa më pas e imituan shumë lojtarë, nga spanjolli Pablo Gallego e deri tek afrikanët e rinj Tabortetaka, Nkembe e Duval.

Edhe shumë lojtarë shqiptarë janë larguar, më të fundit portieri Kuka e mbrojtësi Domgjoni, ndaj janë praktikisht rreth 12 lojtarë të larguar në krahasim me muajin gusht, kur nisi sezoni.

Në ndeshjen kundër Kukësit, këtë fundjavë, Nica do të arnojë si të mundet ekipin, ndoshta me shumë pak lojtarë në stol, ndërsa në janar do të ketë ndryshime të tjera, sepse priten largime dhe shumë afrime./telesport/