Tek Besëlidhja janë të vendosur për të ndërtuar një skuadër të fortë dhe pretendente edhe për sezonin e ri ku do të marrin pjesë në kategorinë e parë të futbollit shqiptar. Për këtë arsye drejtuesit e saj janë duke mbajtur lojtarët kryesorë që kontribuan sezonin e kaluar në arritjen e suksesit dhe atyre po u shtojnë edhe të tjerë cilësorë.
Dhe një nga vendimet e rëndësishme që ato kanë marrë, ka qenë edhe rinovimi i kontratës me futbollistin shkodran Antonio Marku. Ai erdhi në janar tek Besëlidhja pas disa sezoneve të suksesshme në Kosovë dhe dha më të mirën e tij për ngjitjen e kësaj skuadre një kategori më lart.
Si rrjedhojë stafi drejtues i ka ofruar menjëherë rinovimin e kontratës dhe vetë lojtari ka shprehur gatishmërinë për të luajtur sërish në Lezhë. Si rrjedhojë kjo gatishmëri e të dy palëve është konkretizuar me hedhjen e firmës në kontratë.
34 vjeçari ka firmosur edhe për një sezon tjetër dhe ai shihet si një nga pikat më të forta të skuadrës, e cila pritet të jetë një nga konkurrentet kryesore për ngjitjen në Superligë në sezonin e ri.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


