Flamurtari tenton rikthimin e Xhavahir Sukajt. Sinan Idrizi nuk heq dorë nga shkodrani, ndërsa i bën sërish ofertë.
“Panorama Sport” zbulon se i është ofruar posti i drejtorit sportiv. Kujtojmë këtu se i njëjti rol iu dha edhe një vit më parë, por sulmuesi nuk e pranoi.
Asokohe ai u pa në Vlorë vetëm dy ditë dhe më pas nuk u kthye më. Nuk dihet se përse 34-vjeçari nuk pranoi detyrën e propozuar, e megjithatë duket se nuk ka pasur hatërmbetje.
Tani që vlonjatët u ngjitën, administratori po teton ta joshë sërish dhe në tavolinë i ka vendosur të njëjtën ofertë.
Gazeta mëson se pak ditë më parë mes palëve ka pasur një bisedë kokë më kokë, për të diskutuar edhe për një rikthim.
Sukaj u pa në mbështetje të Flamurtarit edhe pak ditë më parë në Tiranë, kur kuqezinjtë luajtën finalen me Luzin.
Idrizi beson te aftësitë menaxhuese të shkodranit, i cili solli në Vlorë edhe tre bashkëqytetarët e tij: Gocajn, Pjeshkën dhe Ramadanin.
Mësohet se për ta bindur, kreu i klubit i ka thënë se do të ketë dorë të lirë me merkaton. Këtë punë deri më tani e ka bërë drejtori Ardi Ciruna dhe trajneri Dritan Resuli.
Nëse Sukaj pranon, atëherë Ciruna do të merret më shumë me pjesën menaxhuese të klubit.
Duke ditur cilësitë e 34-vjeçarit në fushë, Sinan Idrizi e kërkon atë edhe për të dhënë kontributin si sulmues. Pavarësisht se ka një vit që është shkëputur nga fusha e lojës, në Vlorë besojnë se ai mund t’u shërbejë.
Administratori ka garantuar Sukajn se do të vijojë bashkëpunimin edhe me lojtarët e tjerë shkodranë, si Gocajn, Pjeshkën dhe Ramadanin. Ndoshta këta të fundit mund të ndikojnë që të bindin Xhevahirin.