Françesko Moriero nuk do të shkarkohet…të paktën këtë javë. Edhe pse të premten në mbrëmje italiani ishte në “fije të perit”, fundjava ka qenë një kohë e mjaftueshme për reflektim nga ana e drejtuesve për të mos marrë vendime të nxituara.
Në këto kushte trajnerit i jepet edhe një mundësi e fundit për të sjellë ndryshimin. Drejtuesit e klubit kanë vendosur vijimin e bashkëpunimit me Morieron, që solli pakënaqësi në ndeshjen me Egnatian për mos aktivizimin e të riut Hetem Lushaj. Për rreth tre orë, duke nisur nga ora 10:00 deri në orën 13:00 të mesditës së djeshme, në ambientet e klubit është zhvilluar një mbledhje, ku të pranishëm ishin presidenti Sinan Idrizi, sekretari i përgjithshëm Alfred Ferko, si dhe dy legjendat e futbollit vlonjat, zëvendës presidenti Kreshnik Çipi, si dhe Vasil Ruci.
Të pranishëm në takim edhe djali i presidentit Idrizi, Ensar Idrizi si dhe dy zëvendës trajnerët Lejdi Liçaj dhe Andi Ribaj. Mungonte në mbledhje trajneri Françekso Moriero. Idrizi ka marrë parasysh këshillën e Kreshnik Çipit dhe Vasil Rucit për të ardhmen e trajnerit Françekso Moriero.
Legjendat vlonjate kanë qenë të mendimit se italiani duhet të vijojë punën dhe se nuk duhet të eksperimentohet në këtë moment me ndërrimin e trajnerit. Pas ka dëgjuar të gjitha sugjerimet, Idrizi vendosi të mos e shkarkojë trajnerin italian por ti japë vetëm një shans të fundit për të ndryshuar situatën dhe strategjinë, sidomos sa i përket lojtarëve që klubi shikon me perspektivë.


