Fitorja kundër Abel Pesut në Tiranë e ka ngjitur Nelson Hysën në renditje të pa imagjinuara më herët për boksin shqiptar në 4 federatat më të mëdha dhe të rëndësishme të botës. 41-vjeçari falë titullit në WBA mban vendin e 4, ndërsa të 7 në WBO.

“Kam lënë pas 3 ish-kampione bote. Është emocionuese sepse kam boksuar dhe fituar me 7 boksierë undedefeated (të pamposhtur më parë) dhe federata botërore po i vlerëson. Më ka renditur aty ku duhet të jem, por unë dua të shkoj edhe më lart,”-u shpreh fillimisht Nelson Hysa.

Në WBO Nelson Hysa ka lënë pas kampionin britanik Anthony Joshua, i cili për shumë vite ka qenë edhe kampion bote, duke mrekulluar me historinë e tij. Për Report TV, Nelson Hysa tregon se çfarë do të ndodhte nëse në një ndeshje boksi do të përplasej me Joshua-n.

“Është një nga legjendat e botës. Stafet kanë kontaktuar. Kemi pasur një bisedë mes stafesh, me promocionin e Anthony Joshua-s, por momentalisht ai do ndeshet me një boksier në Amerikë. Shpresoj që jo shumë larg të kemi një ndeshje sepse kam dëshirë se është emër i madh. Disa herë kampion bote,”-tha boksieri.

Shpesh boksierët shqiptarë reklamojnë në media për tituj kampion bote të fituar, por sipas Nelson Hysës deri më sot asnjë s’e ka arritur.

“Kemi dëgjuar për nja 20 kampionë bote … Shikon, hyr dhe kliko… është kampion bote ndokush në një nga 4 federatat?! Mos të dalin mashtrime, mos të abuzohet me publikun sepse po heqim shumë për ta rikthyer në sallat e sportit. Ka një kohë shumë të gjatë që abuzohet me këto tituj,”-u shpreh Hysa.

Hysa thotë se në fundin e dhjetorit, me rastin e festave të fundvitit, në Tiranë do të organizohet një event i madh boksi ku do të marrin pjesë sportistë elitarë, i cili do të shoqërohet edhe me shown e shumë këngëtarëve të njohur, për ta bërë një natë të paharruar për sportin shqiptar.