Drejtuar:   Të gjitha mediave të shkruara dhe audio-vizive

 

Për njoftim: Presidentit të FSHF-së, z. Armando Duka

Sekretarit të Përgjithshëm, z. Ilir Shulku

Sektorit të Arbitrimit pranë FSHF-së

 

DEKLARATE PER SHTYP

Klubi i futbollit Vllaznia sh.a me anë të kësaj deklarate për shtyp kërkon të bëjë publike pakënaqësinë e tij në lidhje me gjyqtarin Kridens Meta. Ai edhe në ndeshjen e fundit Vllaznia- Bylis, me vendimet e tij në fushë, ka treguar njëanshmëri duke mos akorduar të paktën një 11-metërsh mëse të rregullt në favor të skuadrës sonë. Pa llogaritur këtu edhe disa faulla të qëllimshme dhënë kundër Vllaznisë apo dhe të tjera që nuk jepeshin në favorin tonë.

Në fakt nëse do ishte hera e parë që ky gjyqtar do të na arbitronte në një mënyrë të tillë, ne nuk do të reagonim. Problemi është se z. Meta e ka bërë rrugë ndëshkimin e Vllaznisë dhe ne si klubi kemi histori të hidhura me të.

Në rrethana të tilla,

-Klubi i Futbollit Vllaznia sh.a e shpall gjyqtarin Kridens Meta “non grata”.

Dhe jo vetëm për këtë sezon. I kërkojmëFederatës Shqiptare të Futbollit që ky gjyqtar të mos na arbitrojë asnjëherë më sa të jetë në këtë pozicion.

Njëkohësisht kërkojmë nga institucioni që drejton futbollin shqiptar, të jetë më korrekt në qëndrimet e gjyqtarëve ndaj Vllaznisë sepse gjatë këtij sezoni, jemi ndëshkuar sistematikisht me vendimet e tyre.

Nëse gjyqtarët kënaqen me faktin se në Shkodër gjykojnë pa asnjë lloj presion dhe bëjnë çfarë të duan me bilbilin e tyre, një situatë e tillë nuk mund të vazhdojnë të jetë gjithmonë kështu.

E kemi theksuar edhe më parë dhe realisht ky është një problem. Drejtimi i Klubit tonë nga Bashkia Shkodër, natyrisht që u jep mundësinë gjyqtarëve apo dhe atyre që janë pas tyre, të mos jenë aspak korrekt me arbitrimet madje në shumë raste edhe arbitrale duke e konsideruar një “mall pa zot”. Por ne nuk do ta lejojmë një gjë të tillë. E kemi ngritur dhe do të vazhdojmë ta ngremë zërin fuqishëm në mbrojtje të Vllaznisë.

Administratori

Fatos GJYREZI