Boksierët e ekipit të Vllaznisë janë në përgatitjet e fundit për kampionatin kombëtar të të rriturve që zhvillohet javën e ardhshme në Tiranë. Ata kanë kohë që stërviten për këtë eveniment të rëndësishëm pasi duan që ta bëjnë të tyrin edhe trofeun e 20-të kampion. Kapiteni i këtij ekipi Nelson Hysa në një intervistë të dhënë paraditen e sotme për gazetën shkodrasport.com, ka shprehur bindjen e tij të plotë se ky trofe jubilar do të vijë në Shkodër. “Kemi kohë që përgatitemi për këtë kampionat sepse duam të fitojmë një trofe jubilar për ne, titullin e 20-të kampion. Kjo do ishte një mrekulli të marrim titullin e 20-të në 23 kampionate që janë zhvilluar pas viteve ’90 në vendin tonë. Jam shumë i bindur se do ia dalim sepse kemi kohë që punojmë për këtë gjë dhe forma e të gjithë sportistëve është e mirë”- ka thënë ai. Kampionati i sivjetëm do jetë një objektiv i rëndësishëm edhe në aspektin personal për Hysën sepse ai do të kërkojë titullin e 17-të të tij. Ai është i bindur se do ta arrijë këtë sepse këtë besim e bazon tek puna e bërë në stërvitje gjatë kësaj periudhe. “Më shumë rëndësi ka të sigurojmë titullin si ekip, pastaj edhe në aspektin personal do të mundohem ta fitoj titullin e 17-të kampion sepse i jam përkushtuar shumë stërvitjes dhe dua ta kurorëzoj me sukses punën e bërë”- ka shtuar kapiteni Hysa.Interesimi për ekipin e boksit duket i madh teksa çdo ditë në stërvitje përveç trajneëve Gjoni, Sermi e Vila janë edhe emra të njohur të këtij sporti si Besnik Gjetja, Jetmir Kuçi, Liman Kulla e të tjerë,të cilët u japin moral boksierëve për të vazhduar dhe çuar më tej numrin e trofeve.
Gjergj KOLA