Një histori e madhe është hapur në kampionatin botëror të boksit që po zhvillohet në Serbi. Kosova nuk është lejuar që të përfaqësohet me sportistët e saj, ndërsa nuk kaloi shumë që edhe Shqipëria të tërhiqej nga gara.
Por vendimi që u duartrokit shumë nuk mund të zbatohej pas presionit që erdhi nga vendet e tjera. Shqipëria rrezikonte që të mos merrte pjesë në 10 vitet e ardhshme në këtë kampionat. Kështu u vendos që vendi ynë të përfaqësohej me boksierët.
Por në momentin e hapjes së organizimit, teksa flamuri shqiptar u shpalos nga kapiteni dhe boksieri Nelson Hysa, rreth 20.000 tifozë serbë nisën me vërshëllimat duke na kujtuar “xhungël e Beogradit” në futboll.
I ftuar në “Sport Magazine” që moderohet nga Drilon Xhepollari, Nelson Hysa tregon gjithë situatën. Ndërkohë një “thumbim” vjen në distancë edhe për fitoren e fundit të Florian Markut që u etiketua në rrjetet sociale si kampion i botës. “Kampioni i botës del nga këtu, nuk zgjedh asnjë kundërshtar”, tha mes të tjerash Hysa.