Mikela Skandaj është 13-vjeçarja e talentuar nga fshati Baqël i Lezhës, e cila rreth një muaj më parë u shpall nënkampione Europe në karate. Ajo ka lindur në Itali dhe sukseset e saj europiane i shoqëron me flamurin shqiptar, edhe pse shteti i saj dhe KOKSH e kanë lënë në harresë.

Së fundmi, në këto ditë festash, pikërisht më datat 28 dhe 29-nëntor, Skandaj ka gjetur rastin të përcjellë një falenderim publik për ato që e kanë mbështetur në rrugën e bukur të sportit, mes të cilëve edhe babain e saj, Angjelin Skandaj, të cilit ia dedikon të gjithë suksesin e deritanishëm.

Në një shkrim falënderues nga ana e saj, Mikela, nënkampione Europe në karate shprehet se edhe pse ka arritur disa suksese europiane për katër vite me rradhë, i vetmi sponsor dhe e vetmja mbështetje financiare për të ka qenë nga babai i saj, Angjelin Skandaj. Poashtu, Mikela thekson se e ndjen shumë peshën e flamurit shqiptar, aq sa një gjë e tillë është një motivim më tepër për të në karrierën e saj sportive.

“Të dashur bashkë-atdhetarë të mi. I lexova me vonesë, por me shumë vëmendje dhe përkushtim të gjitha urimet dhe komentet tuaja të përzemërta që më keni dhuruar nëpërmjet rrjeteve sociale. Prandaj, e ndjeva si obligim dhe nuk mund të rrija indiferente përballë gjithë këtyre urimeve. Gjeta rastin në këtë ditë të shënuar të ju falënderoj nga zemra për urimet e përzemërta dhe të sinqerta që më keni dhuruar gjatë ditëve të suksesit tim.

Nje urim special shkon per gazetarin e mirnjohur zotin Gjergj Kola te gazetes Shkodra Sport online, RTSH Shkodra se bashku me stafin e saj te mrekullueshem dhe gazetarin e mirnjohur zotin Gasper Marku, komentatorin sportiv zotin Gjin Palushaj Po kështu, edhe Bashkinë Lezhë me kryetarin e saj, z. Pjerin Ndreu, si edhe familjen time dhe në veçanti babain tim, Angjelin Skandaj, si i vetmi sponsor për katër vite me rradhë që me shumë përkushtim dhe sakrificë bëri që unë të arrij në nivele kaq të larta.

E shfrytëzova rastin e këtij falënderimit, pikërisht me rastin e festës së flamurit, pasi edhe pse kam lindur në Itali, e ndjej shumë peshën e tij. Sa herë që garoj e ndiej veten si një shqiponjë e vogël dy-krenare që kërkon të dalë fitimtare.

Edhe pse jam harruar nga shteti shqiptar, pesha e këtij flamuri dhe urimet tuaja të përzemërta më mbushin me optimizëm për një karrierë sportive të suksesshme. Ju jeni një burim frymëzimi për të arritur atje ku dëshirojmë të gjithë. Zoti ju bekoftë”,-mbyll në letrën e saj falënderuese, Mikela Skandaj, nënkampione Europe në karate.
Maringlen ZHIVANI