Klubi i Barcelonës po përjeton ditë shumë të vështira për shkak të menaxhimit të pakujdesshëm, që dërgoi në një ulje të drastike të rezultateve në fushë dhe humbjeve financiare, që e kanë futur klubin në krizë, duke e patur të pamundur të ndërhyjë në merkato për të sjellë lojtarë të nivelit të lartë.

Më pas erdhi çështja “Mesi”. Argjentinasi nuk e sheh Barçën një klub të denjë për të luftuar për trofe të mëdha dhe kërkoi largimin nga klubi. Presidenti Bartomeu këmbënguli me kushtet e parashikuara në kontratë dhe në fund Mesi qëndroi në klub pa dëshirën e tij.

E gjithë kjo situatë e nderë në klub ka bërë që në Katalunjë të ndërmerret një nismë për shkarkimin e Bartomeut përmes një mocioni mosbesimi, të iniciuar nga kandidatët për president, Joan Laporta, Viktor Font dhe Zhordi Farre. Për të përmbushur këtë objektiv të tyre duhen plot 16500 firma të anëtarëve të klubit, që duhet të mblidhen brenda datës 17 shtator.

Ditën e sotme ata njoftuan se kanë arritur të mbledhin plot 7500 firma brenda një harku kohor të një jave. Fushata vazhdon dhe po punohet fuqimisht për të shkarkuar Bartomeun dhe anëtarët e bordit të klubit, që e mbështesin presidentin aktual të klubit.

Mbetet për tu parë nëse do të arrihet ky numër, teksa duhet të themi se ditën e sotme kjo çështje është shndërruar në ndërkombëtare. /vipsport/