Nesër në orën 11.00 në ambjentet e Federatës Shqiptare të Futbollit do të hidhet shorti i turit gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë. Siç është bërë tashmë e ditur, të drejtën për të luajtur në këtë tur e kanë fituar 4 skuadra: Vllaznia, Laçi, Teuta dhe Skënderbeu.
Sipas rregullores së këtij kompeticioni për këtë edicion, vendosur nga FSHF, ndeshjet e çdo turi do të luhet vetëm me një përballje dhe pikërisht në fushën e skuadrës e cila del e para nga vazoja e shortit.
Në Shkodër sigurisht që janë duke e pritur me shumë interes hedhjen e shortit të këtij turi sepse Vllaznia ka pretendimet e saj ashtu si në kampionat, edhe në Kupën e Shqipërisë.
Duke folur në lidhje me këtë temë dhe preferencën e tij për kundërshtarin e nesërm, sponsori Alban Xhaferi për “Shkodra Sport” është shprehur”:
“Nuk duhet të fokusohemi shumë tek çështja se cili kundërshtari do t’i bie Vllaznisë në gjysmëfinale. Eksperienca ka treguar se në ndeshjet e kupës nuk kanë munguar surprizat. Ajo që është e qartë ka të bëjë me faktin se Vllaznia pavarësisht se me cilin ekip do të përballet në gjysmëfinale, do të synojë të kalojë në finale.
Ne nuk jemi duke pritur shortin, për të parë se me cilin kundërshtar do të ndeshemi. Objektivi, e përsëris, që është kalimi në finale të Kupës së Shqipërisë”./SHKODRA-SPORT.COM/