Vllaznia në basketboll arriti një fitore shumë të rëndësishme në shifrat 74-72 kundër Teutës në Durrës ditën e djeshme. Një nga më të mirët e takimit ishte edhe Daniel Lekndreaj. Djaloshi i talentuar i cili është edhe pjesë e kombëtares së basketbollit ka dhënë një intervistë për Newsport.al ku ka folur për takimin e djeshëm dhe pritshmëritë e këtij sezoni. Shkodrani nuk harron as kombëtaren për të cilën cilëson si një nga më të mirat e sezoneve të fundit.

– Daniel, u kthyet te fitorja kundër Teutës. Si ndiheni pas kësaj fitoreje ?
Pa mendjemadhësi ose diçka të tillë i treguam Teutës që nuk jemi ai ekipi që mundën në fazën e parë.Ai ekip i cili kishte 4 muaj pa u stërvitur në pallatin e sportit. Treguam që jemi një ekip i bashkuar dhe që Vllaznia është ende një kundërshtar i vështirë për tu kaluar.
– Teuta është një ekip pretendent këtë vit por fitorja e juaj kundër tyre tregon se edhe ju keni “brumin” e duhur apo jo?
Patjetër që po. Tregon se edhe ne jemi një ekip me shumë cilësi dhe që duhet ti shfaqim në çdo ndeshje. Teuta këtë vit është pretendente sepse edhe ka afruar 3 lojtarë të huaj në ekip. Plus edhe tifozeria që ishte në anën e tyre na e bënë akoma më të vështirë këtë takim por ne ia dolëm mjaft mirë.
– A është futur ekipi në shinat e duhura pas problemeve të fillim sezonit?
Mund të them se situata është përmirësuar disi por ende jo plotësisht.
– Pretendon Vllaznia që këtë vit të jetë ndër më të mirët ?
Vllaznia realisht pretendon edhe këtë vit pasi na kanë marrë lehtë këtë sezon. I bëj thirrje tifozerisë që të organizohen e të na përkrahin edhe ne basketbollistëve në momentet e vështira. Edhe ne gjendemi në momente të vështira gjatë ndeshjeve dhe përkrahja e publikut është ajo që të ndihmon shumë.
– Ti je edhe pjesë e kombëtares së Shqipërisë. Ç’mund të na thuash më tepër për kuqezinjtë?
Edhe këtë vit isha pjesë e kombëtares por dy ditë para ndeshjes i bëra vetes një “dhuratë të zezë”. Kjo pasi ndrydha kaviljen dhe nuk mund të luaja, ishte e pamundur. Por mund të them realisht që kombëtarja këtë vit ka qenë më e fortë se asnjëherë.

– A do e shikojmë Danielin në Europë në të ardhmen?
Ato nivele janë maja që mund të arrijë një sportist i çdo lloj sporti. Por unë kam shpresa se çdo gjë mund të realizohet. Dhe me punë e me këtë ritëm që kam mund të arrij në nivele edhe më të larta.
– Karriera juaj po shkon paralelisht më vëllain tuaj Dodën ku ndani të njëjtin pasion për basketbollin. Kujtojmë këtu në sport vëllezërit Xhaka apo Boateng. Por cili nga ju është i “përkëdheluri” ose më “i llastuari” nga familjarët?
Unë dhe vëllai im po rritem te ekipi i Vllaznisë përsa i përket pjesës së sportit. Karriera jonë po shkon paralel dhe kjo është diçka që më bën krenar. Për llastimin dihet se në çdo familje llastohet më i vogli dhe favorizohet pak, që i bie të jem unë (qesh).

© shkodrasport.com