Momente pauze por edhe emocionesh e kënaqësie për tifozët shkodranë. Ditët e fundit ata kanë patur mundësi që përmes
ekranit të RTSH Sport të ndjekin disa nga ndeshjet historike të skuadrës së tyre të zemrës- Vllaznisë.

Sot ky ekran ka transmetuar ndeshjen e “UEFA Champions League” ndaj Reykjavik, e luajtur në vitin 2001 dhe që u fitua
nga Vllaznia 1-0 falë golit të shënuar nga Klodian Duro që solli dhe kualifikimin e saj për në turin e dytë të këtij
televizioni.

Ndërkohë, kanali sportiv i rrjetit të Radio Televizionit Shqiptar mësohet se nesër do të transmetojë një tjetër
ndeshje historike: Pikërisht finalen e Kupës së Shqipërisë në mes Vllaznisë dhe Tiranës në sezonin 2007-08, e fituar
2-0 nga kuqeblutë që merituan edhe trofeun e Kupës.

Ky sukses i arritur në stadiumin e Elbasanit është në fakt suksesi i fundit që ka arritur Vllaznia dhe për rrjedhojë
është ende në memorien e tifozëve shkodranë megjithatë ata do të kenë mundësi nesër ta ndjekin sërish këtë finale.
Një gjë e tillë bëhet e ditur nga vetë klubi shkodran përmes një njoftimi të bërë në faqen e tij zyrtare ku shkruhet:

“Një tjetër ndeshje historike nesër në ekranin e RTSH Sport. Në orën 16.00 në ekranin e këtij televizioni do të keni mundësi të ndiqni ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë të sezonit 2007-08, atë Vllaznia- Tirana, e luajtur më 7 maj 2008 në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit dhe që përfundoi me fitoren 2-0 të skuadrës tonë që meritoi kësisoj edhe këtë trofe”.