Largimi i Nevil Dedes nga Tirana u shoqërua me një mori polemikash. Pati nga ata që e kritikuan publikisht trajnerin se nuk mund t’i trazonte ujërat aq shumë. Një prej tyre edhe Tefik Osmani, drejtori sportiv i Tiranës.
Korçari e cilësoi të nxituar shpërthimin e Dedes pas largimit, por vetë trajneri, dikur një nga lojtarët më të titulluar të bardhebluve, beson se klubi duhet të funksionojë me projekt të qartë dhe jo sipas humorit të personave. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Nevil Dede i këshillon Osmanit të mos merret me emra të përveçëm dhe ndër të tjera i kujton se si janë sot llogaritë e klubit…
PËRGJIGJJA E DEDES…
“Nuk dua për asnjë moment të hap polemika, aq më pak me drejtorin e Tironës, që e kam mik edhe shok njëkohësisht. Tirona është më e madhe se çdokush nga ne që ka pasur fatin të jetë pjesë e këtij klubi.
Nëse Nevil Dede u afrua në klub për të shpëtuar sezonin dhe me një kontratë afatgjatë mbas largimit të shumë lojtarëve që sapo kishin fituar kampionatin dhe merkatos që e dinë vetë se si e bënë…
Nëse m’u tha në fillim që do mbështetemi te lojtarët e akademisë, pasi disa nga futbollistët e afruar ishin skarco dhe pastaj nuk donin që këta lojtarë të vazhdonin të luanin, atëherë gjëja më korrekte ishte të flisnim.
Mikut tim, drejtor Osmanit, i uroj sa më shumë suksese, sepse është i ri me perspektivë tek pozicioni që ka mbi kurriz… Një batutë, sepse ai i ka qejf shumë: Ma shiko pak llogarinë!