Izmir Smajlaj pësoi një dëmtim të rëndë gjatë garave të Kupës së Shqipërisë në atletikë të zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”, teksa këputi ligamentet e gjurit të majtë. Tashmë, Smajlaj është operuar në një nga klinikat më të njohura në Parma të Italisë, teksa po në Itali do të vazhdojë edhe trajtimin më të specializuar.

Kjo gjë e tillë u bë e mundur falë interesimit dhe angazhimit personal nga ana e trajnerit të tij, Gjergj Ruli, njëkohësisht edhe president i Federatës Shqiptare të Atletikës dhe poashtu edhe mbështetjes së dhënë nga strukturat përkatëse.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka qenë vetë Smajlaj, i cili ka treguar se ka kaluar me sukses operacionin.

“Një mundësi e artë që arrita të kryeja operimin me doktorin më të mirë italian, z. Paolo Adravanti, mjek i famshëm dhe specialist në fushën e ortopedisë në Europë, i cili me shumë profesionalizëm arriti të kryejë ndërhyrjen e vështirë, për të cilën u dëmtova aq rëndë. Grazie Dottore!

Tashmë, rifillon rikuperimi, kohë e gjatë dhe e ngadaltë për t’u rikthyer në pistën që kaq shumë e dua!”, shkruan në postimin e tij të publikuar në rrjetin social Facebook, kampioni shkodran i atletikës shqiptare, Izmir Smajlaj. /Maringlen ZHIVANI/