Basania ka marrë një barazim “të çmendur” sot në transfertë ndaj Adriatikut në shifrat 2-2. Djemtë e drejtuar nga trajneri Dervish Haxhiosmanoviç kanë qenë në disavantazh të dy golave deri në minutën e 73-të dhe sikur të mos mjaftonte kjo, ato kanë humbur edhe një 11-metërsh.
Por jo vetëm kaq. Me një futbollist më pak në fushën e lojës, ia kanë dalë të shënojnë jo një por dy gola dhe kanë marrë një pikë me shumë vlerë në këtë transfertë.
Takimi i luajtur në Pezë- Helmnes nuk ka nisur ashtu si duhet për Basanian. Në minutën e 10-të mbrojtësi Marashi shkakton 11-metërsh dhe nga pika e bardhë, Adhurim Hasani ka shënuar. Pjesa e parë do të mbyllej me këtë gol të vetëm. Ndërkohë në minutën e dytë të pjesës së dytë, Adriatiku përfiton nga një pasiguri në mbrojtjen mike dhe Kanapari ka dyfishuar shifrat.
Megjithatë Basania nuk dorëzohet dhe hidhet e gjitha në sulm. Në minutën e 69-të ajo fiton një 11-metërsh por gjuajtja e Jurgen Gjinit pritet nga portieri vendas. Duket se këtu mbyllet gjithçka, por jo. Pesë minuta më vonë është Albert Mila që me një gjuajtje tokazi shënon golin e parë për Basanian duke rihapur ndeshjen.
Por ndërkohë në ’84 Mario Kola ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë dhe më pas të kuqin dhe si rrjedhojë e lë skuadrën e tij me një futbollist më pak, por Basania nuk heq dorë nga pretendimi i saj për të mos dalë pa pikë nga kjo ndeshje. Dhe do ia arrinte. Albert Mila bën sërish mrekullinë dhe në minutën e 96-të do të realizonte një kryevepër dhe topi përfundon në rrjetë.
Në këtë mënyrë gjithçka do të mbyllej në shifrat e barabarta 2-2. Basania merr një barazim me shumë vlerë dhe padyshim që për nga mënyra si shkuan gjërat, duhet të jetë e kënaqur me të.(www.shkodrasport.com)







