✍️ Shkruar nga Adriatik DOSTI
Shumë përshtypje të keqe më la dje pseudo–gazetari Artan Hoxha, i ftuar në A2 CNN, në emisionin sportiv të Altin Sulçes.
Pavarësisht përpjekjeve qytetare e profesionale të Sulçes për ta frenuar disi atë “lëshim prej zinxhirësh” të një bishe të tërbuar, A. Hoxha nuk u ndal dhe nxori prej gojës së tij një arsenal të tërë sharjesh e fyerjesh ndaj Shkodrës, Vllaznisë dhe Martinit.
Nuk e di me çfarë guximi apo kurajoje të çmendur kishte marrë përsipër rolin e avokatit mbrojtës të Dinamos e Dajës, dhe atë të prokurorit ndaj Vllaznisë e Martinit.
T’i thuash publikisht një lojtari e trajneri kampion si Martini se “kur Daja shpallej kampion, ti prisje topat pas porte”, e më tej të vjellësh helm e vrer e të lëshosh fyerje pa fund në adresë të Shkodrës e shkodranëve, për mua është absolutisht e papranueshme dhe plotësisht e dënueshme.
Si Daja, ashtu edhe Martini, kanë zgjedhur të merren e të vazhdojnë të merren me sport, e me futbollin në veçanti. Ti, zoteri “gojë–hale”, nuk je marrë as me sport, as me qytetari, por me politikë, banda, drogë, parcela hashashi, krime e kriminelë, spiunllëqe e poshtësi të shumëllojshme — duke marrë në qafë dynjanë.
Unë i njoh mirë dhe nga afër, që prej më shumë se 30 vjetësh, si Ilirin, ashtu edhe Edin. Dje si futbollistë, sot si trajnerë, dhe ndihem mirë që vazhdoj t’i kem miq të mirë.
Daja, si lojtar, ishte normal — lojtar formacioni dhe fitues trofesh te Dinamo, megjithëse disi i pafat në karrierën e tij. Si trajner, është më i suksesshmi nga të gjithë të paktën në dekadën e fundit: kampion me Dinamon, Elbasanin, Skënderbeun, Ballkanin në Kosovë; dy herë pjesëmarrës në fazën e grupeve të Kupave të Europës.
Së fundmi, me Dinamon e tij të sotme, eliminoi nga garat europiane një emër të madh të futbollit kontinental si Hajduku i Splitit. Arritje për t’u pasur zili nga kushdo.
Personalisht, nuk jam dakord me disa qëndrime e deklarata të tij publike që, në vend të ndihmojnë, hapin sherre e krijojnë armiqësi të kota mes njerëzve të futbollit, duke dëmtuar edhe imazhin e vetë Dajës.
Martinin gjithmonë e kam vlerësuar si një nga talentet më të mëdha të viteve ’90 — jo vetëm të futbollit shkodran, por edhe atij shqiptar në përgjithësi.
Sulmues klasi e golashënues i rrallë, kampion me Vllazninë, pjesëtar i Kombëtares së Shqipërisë dhe lojtar i Eintracht Frankfurtit. Si trajner, kampion dhe fitues trofesh me Teutën e Durrësit, dhe me dëshirë të madhe për ta arritur të njëjtën gjë me Vllazninë e zemrës së tij.
Të papranueshme gjithashtu disa qëndrime, veprime dhe deklarata publike të tij, që e rëndojnë kundërshtarin dhe dëmtojnë disi imazhin e tij personal.
Besoj, uroj dhe shpresoj që të dy — si djem kampionë të Tiranës e Shkodrës, por edhe si trajnerë të suksesshëm që duhet të japin shembullin e parë pozitiv për lojtarët, stafet, tifozët dhe mediat — të gjejnë kurajon qytetare për t’u kërkuar falje publike kujtdo që është prekur nga deklaratat e tyre të nxituara. Le ta shuajnë këtë zjarr artificial që vetëm dëmton e nuk ndihmon askënd.
Ne njerëzit e sportit dallojmë për sportivitet, njerëzillëk dhe qytetari. Ndaj uroj dhe besoj fort se Daja e Martini kanë shumë më tepër arsye për të mbetur miq, se sa për t’u bërë “armiq”.
Menaxherët e drogës e të krimit, “gazetarucët” me pagesë të vëllezërve Rama, bashkëpunëtorët e bandave e kriminelëve, ata që nxisin përçarje e urrejtje mes nesh, njerëzve të sportit, që guxojnë të marrin rolin e gazetarit sportiv apo analistit siç bëri mbrëmë në një ekran televiziv njëfarë Artan Hoxha, meritojnë vetëm përbuzjen e gjithkujt — dhe asgjë më shumë.







