Rafaela Pimenta është një nga agjentet më të njohura në botën e futbollit duke qenë se është pasuesja e të famshmit, Mino Raiola. Pasi ky i fundit u nda nga jeta, listën e zgjeruar të futbollistëve që përfaqësonte italiani, e trashëgoi Pimenta.

Sot në menaxhimin e saj janë futbollistë me shumë emër në futbollin europian, mjafton të përmendim Erling Haaland, Paul Pogba, De Ligt, Marco Verrati apo edhe Mkhitaryan.

Së fundmi, në një intervistë për Corriere della Sera, Pimenta flet për fillimet e saj në botën e futbollit duke theksuar se aty ka shumë maskilizëm. Pimenta shprehet se është ndjerë e paragjykuar, madje ka duruar edhe ofendime të shumta.

“Kanë qenë të shumta rastet kur më kanë ofenduar sepse pjesa më e madhe mendojnë se femrat janë inferiore. Disa e përdorin këtë si strategji, ndërsa të tjerë e mendojnë me të vërtetë. Njëherë në Itali një drejtues klubi më pyeti nëse isha me të vërtetë avokate pasi nuk i besohej.

Ai mendonte se isha një prostitutë braziliane. Ia ktheve duke i thënë se edhe nëse isha prostitutë, ai duhej të më paguante për shërbimin. Megjithatë, këto janë histori që kanë ndodhur vite më parë dhe për fat të mirë duket sikur kohërat kanë ndryshuar pak”, u shpreh Pimenta.