Liga Profesioniste duhet të dalë nga letra dhe të marrë një rol real në mbrojtjen e klubeve dhe integritetit të garës
Mendoj se ka ardhur momenti që në futbollin shqiptar të mos flasim më vetëm për një arbitër, një vendim të VAR-it apo një ndeshje të caktuar.
Problemi duhet parë si sistem.
Klubet e Superiores investojnë miliona euro çdo sezon. Investojnë në lojtarë, akademi, infrastruktura dhe organizim, ndërsa kanë përgjegjësi ndaj tifozëve, sponsorëve dhe vetë qyteteve që përfaqësojnë.
Prandaj është normale që krahas profesionalizimit të klubeve të kërkojmë edhe një sistem arbitrimi profesionist, të pavarur, transparent dhe mbi të gjitha të përgjegjshëm.
Në Shqipëri kemi krijuar Ligën Profesioniste. Tani duhet t’i japim asaj funksion real.
Liga nuk duhet të ekzistojë vetëm në letër. Ajo duhet të jetë institucioni që përfaqëson interesat e përbashkëta të klubeve profesioniste dhe që, në bashkëpunim me FSHF-në, merr përgjegjësi për zhvillimin dhe integritetin e garës.
A mundet sistemi të kontrollojë vetveten?
Ky është një diskutim që duhet bërë hapur.
Sot emërimi i arbitrave kryhet nga strukturat e arbitrimit brenda FSHF-së. Edhe analiza teknike, përgatitja dhe vlerësimi i arbitrimit zhvillohen në pjesën më të madhe brenda të njëjtit sistem. Rregulloret e FSHF-së përcaktojnë se Departamenti i Arbitrimit cakton arbitrat për ndeshjet.
Atëherë lind një pyetje legjitime:
A është e mjaftueshme që një sistem të administrojë, vlerësojë dhe kontrollojë kryesisht vetveten?
Nuk po vë në diskutim profesionalizmin apo ndershmërinë e individëve. Po flas për mënyrën se si ndërtohet një institucion modern.
Ekspertiza e arbitrave dhe ish-arbitrave është e pazëvendësueshme, por mbikëqyrja e sistemit nuk duhet të jetë ekskluzivisht pronë e komunitetit të arbitrimit.
Pse të mos ketë edhe ish-lojtarë, trajnerë, drejtorë sportivë, ekspertë të administrimit sportiv dhe figura me integritet nga futbolli?
Dhe pse jo edhe përfaqësues të Ligës apo të klubeve në nivelet e qeverisjes dhe mbikëqyrjes, me mekanizma të qartë që shmangin çdo konflikt interesi?
Kjo nuk do të thotë që klubet të caktojnë arbitrat.
Absolutisht jo.
Emërimi i arbitrave duhet të jetë plotësisht i pavarur nga klubet.
Por ka një ndryshim të madh mes kontrollit të arbitrave nga klubet dhe pjesëmarrjes së klubeve në qeverisjen e sistemit të futbollit profesionist.
Unë kërkoj të dytën.
Modeli anglez na jep një drejtim
Në Angli arbitrimi profesionist administrohet nga një strukturë e posaçme, sot e quajtur Professional Game Referees – Pro Ref, ish-PGMO. Ajo financohet nëpërmjet një marrëveshjeje ku marrin pjesë Premier League, EFL, FA dhe WSL Football dhe funksionon si strukturë e specializuar për arbitrimin profesionist.
Por elementi më interesant është transparenca.
Premier League ka një Key Match Incidents Panel, një trupë të pavarur që analizon incidentet kryesore të ndeshjeve: penalltitë, kartonët e kuq, pozicionet jashtë loje, si dhe vendimet apo mosndërhyrjet e VAR-it.
Në të marrin pjesë tre ish-lojtarë ose trajnerë, një përfaqësues i Premier League dhe një i Pro Ref. Nga sezoni 2026/27 rezultatet e këtij paneli publikohen çdo javë.
Pra, arbitri gjykon ndeshjen, por arbitri nuk është i vetmi që gjykon punën e arbitrit.
Kjo është filozofia që duhet të marrim.
Një model shqiptar
Shqipëria mund të krijojë një strukturë të posaçme të arbitrimit profesionist, të mbështetur institucionalisht dhe financiarisht nga FSHF dhe Liga Profesioniste, por me pavarësi të plotë operative.
Arbitrat e Superiores duhet gradualisht të trajtohen si profesionistë të vërtetë, me standarde performance, përgatitje fizike e psikologjike, trajnim të vazhdueshëm dhe karrierë të bazuar mbi meritën.
E njëjta gjë duhet të vlejë për VAR-in.
Paralelisht duhet të krijohet një Panel i Pavarur i Incidenteve Kryesore, ku të mos ketë vetëm arbitra apo ish-arbitra.
Pas çdo jave mund të publikohen vlerësimet për vendimet kryesore: ishte apo jo penallti, ishte apo jo karton i kuq, a ndërhyri drejt VAR-i, a duhej të ndërhynte.
Rezultati i ndeshjes nuk ndryshon.
Por ndryshon diçka shumë më e rëndësishme:
rritet besimi te gara.
Arbitrimi është drejtësia e garës
Arbitrimi nuk është një sektor periferik i futbollit.
Është administrimi i drejtësisë sportive në fushë.
Mund të investojmë miliona euro, të ndërtojmë skuadra, akademi dhe stadiume, të sjellim sponsorë dhe mijëra tifozë në tribuna.
Por nëse nuk kemi besim te mënyra se si administrohet drejtësia e garës, atëherë ne si klube rrezikojmë të mbetemi thjesht aktorë, tifozët thjesht spektatorë, ndërsa dikush tjetër vendos mbi një garë për të cilën ne investojmë dhe mbajmë përgjegjësi.
Kjo nuk duhet të ndodhë.
Klubet duhet të luajnë. Arbitrat duhet të gjykojnë. Por sistemi duhet të kontrollojë cilësinë e gjykimit dhe dikush i pavarur duhet të kontrollojë sistemin.
Vllaznia nuk kërkon arbitra të saj.
Asnjë klub nuk duhet të ketë arbitrat e tij.
Ne nuk kërkojmë të kontrollojmë arbitrimin. Kërkojmë ta profesionalizojmë, ta bëjmë të pavarur dhe ta nxjerrim nga një sistem që në pjesën më të madhe gjykon vetveten.
Dhe kjo duhet të jetë vetëm një nga detyrat e Ligës Profesioniste. Liga duhet të mbrojë klubet edhe në organizimin e kampionatit, kalendarin, të drejtat televizive, marketingun, sigurinë, standardet e stadiumeve dhe zhvillimin ekonomik të garës.
Klubet janë kundërshtare për 90 minuta.
Por jashtë fushës kanë një interes të përbashkët:
një kampionat të fortë, të drejtë dhe të besueshëm.
Ligën Profesioniste e kemi krijuar.
Tani ka ardhur koha ta vendosim në punë.


