Operacioni më i rëndë sishëm i Interit në merkaton e verës 2021 do të jetë sigurisht ai i shitjeve. Nevojat financiare të “Suning”-ut kanë sjellë ridimensionimin e biznesit të grupit, i cili do të tregohet i kujdesshëm në merkaton hyrëse, por nuk do të injorojë aspak atë dalëse, e cila ka sjellë një shitje spektakolare, siç ishte ajo e Ashraf Hakimit te PSG-ja për 60 milionë euro plus 8 milionë bonuset.
Bëhet fjalë për shitjen e dytë më fitimprurëse në historinë e klubit zikaltër, duke mos e thyer dot vetëm për fare pak rekordin e asaj të Zlatan Ibrahimoviçit për vetëm 1.5 milionë euro, shitur në verën e vitit 2009 te Barcelona fituese e tripletës me Pep Guardiolën.
Një operacion i dështuar nga pikëpamja personale e sulmuesit aktual të Milanit (nuk e gjeti kurrë gjuhën e përbashkët me Pepin), por jo për zikaltrit, të cilët atë vit arkëtuan 69.5 milionë euro nga shitja e suedezit.
TELENOVELA “IKARDI” – Marrëdhënia e thyer me tifozët, tërheqjet dhe lëshimet e pafundme mes Interit dhe gruas menaxhere, Vanda Nara, ardhja e Antonio Kontes, i cili as nuk donte ta dëgjonte emrin e tij, shtruan rrugën e shitjes së kapitenit Mauro Ikardi.
Një operacion i ndarë në dy pjesë: fillimisht, në verën e 2019-ës në formë huazimi gjithnjë te PSG-ja, e cila vitin e shkuar, më 31 maj 2020, vendosi ta transferojë përfundimisht për shifrën e 50 milionë eurove plus 8 milionë bonuset. Një shitje që renditet menjëherë pas asaj të Zlatanit, por përpara asaj të Ronaldo Luis Nazario da Limas (45 milionë).
Nuk duhet anashkaluar se shitja e brazilianit është bërë në verën e 2002, plot 19 vite më parë. Atëherë kujtimet shkojnë në atë marrëdhënie të vështirë me Hektor Kuperin. Dhe “Fenomeni” përfundoi te Reali i Madridit pas Botërorit të fituar me Brazilin.
PESHAT E LEHTA – Reali i Madridit fshihet edhe pas transferimit të mesfushorit kroat Mateo Kovaçiç. I dashur dhe jo nga tifozët e Interit, disa prej të cilëve e akuzonin për “moviolizëm” në lojë 21-vjeçarin, pavarësisht moshës së re, transferimi i kroatit në “Bernabeu” solli në arkat e Interit plot 38 milionë euro në verën e 2015-ës.
Menjëherë pas tripletës, edhe në këtë rast me një marrëdhënie të prishur me tifozët, erdhi koha e përshëndetjes edhe për Mario Balotelin, i kërkuar nga Roberto Mançini te Mançester Siti për 29.5 milionë euro.
Pastaj shitje të tjera me plusvalencë janë edhe ajo e Etosë në Dagestan (tek Anzhi), klubit që në atë epokë shpenzonte shifra marramendëse. Por, nuk mbeten pas as Krespo, Sedorf dhe në fund zhgënjimi Xhefri Kondogbia, i transferuar nga Monako për 36 milionë në verën e 2015-ës dhe i shitur te Valencia për 22 milionë, rast i cili është një minusvalencë.