Titullar i padiskutueshëm në kampionat, megjithëse shpesh herë i kritikuar, Thomas Strakosha po tregon javë pas jave se çdo kritikë, është i aftë ta pranojë dhe punon fort, që të mos kritikohet sërish. Nëse pak javë më parë po kryqëzohej nga të gjitha mediat si jo Strakosha që njohim të gjithë, java e fundit në kampionat ka bërë që të ndryshojnë mendim.
Pikërisht në javën e fundit për vitin 2018, Lacio e mbyll me një barazim 1-1 ndaj Torinos ku goli për ‘granatat’ u shënua nga Beloti me anë të një penallti, krahun e së cilën e kuptoi gardiani shqiptar por pa arritur që ta ndalë. Pritjet e bëra në ndeshjen ndaj Torinos, e kanë vënë edhe njëherë Strakoshën në qendër të vëmendjes, por këtë radhë për mirë.
Mediat italiane, e kanë vlerësuar paraqitjen e tij dhe nota që Strakosha ka marrë për ndeshjen ndaj Torinos, shkon në 6-6.5, ndërkohë që edhe fjalët e thëna për të, janë relativisht pozitive.
“PDC”: Strakosha 6- I kujdesshëm dhe me fat në rastet që Torino kishte. Për të ardhur keq mënyra si e kuptoi krahun dhe nuk arriti ta priste penalltinë.
“AbitareRoma.it”: Strakosha 6- Arriti të kuptonte krahun e penalltisë së Belotit, por ai e goditi fort. Në fund shpëtoi Lacion edhe pse ishte në trajektore.
“It.europsport.com”: Strakosha 6- Kupton penalltinë por nuk e pret. Vendimtar me disa ndërhyrje, ndërsa në pjesën tjetër të lojës bën atë që është e nevojshme pa u shqetësuar shumë. /VipSport/