Rreth 60-sportistë, përfaqësues të 12-ekipeve të huaja, janë pjesë e turneut ndërkombëtar të tenisit “Shkodra Open U-16 Tennis Europe Junior Tour”, i cili po zhvillohet për disa ditë me rradhë në kompleksin sportiv Adriatic Tennis Park të Shkodrës.

Ky kampionat, i pari i këtij lloji në këto përmasa dhe nivele, për vendin tonë, ka vendosur përballë njëri-tjetrit, tenistët e rinj deri në 16-vjeç, teksa mes tyre janë edhe emra premtues për nivele botërore. Kështu, krahas Australisë, Bosnje-Hercegovinës, Çekisë, Kosovës, Malit të Zi, Italisë, Polonisë, Serbisë dhe Ukrainës, është edhe Shqipëria, e cila përfaqësohet me tenistë të niveleve të larta.

Merita e organizimit të një turneu të tillë, i takon disa dashamirësve të tenisit shkodran, duke nisur me Gëzim Galiqin, Sokol Hoxhën, Alban Danin, Elvis Bilalin, së bashku edhe me Kliti Hotin, i cili në këtë aktivitet është në cilësinë e drejtorit të turneut.

Aktiviteti në fjalë do të zgjasë deri me datë 16-shtator, ndërsa në ditët në vijim do të ketë edhe ballafaqime interesante dhe me rivalitet. Finalet e kompeticionit do të zhvillohen këtë fundjavë.
Maringlen ZHIVANI