Altin Xhahysa, një nga ish-futbollistët më të njohur të Vllaznisë dhe tashmë një nga trajnerët e futbollit në Shkodër, ka folur për humbjen e shkodranëve kundër Egnatias. Në emisionin “Sport Show” në TV1-Channel, ish-kampioni kuqeblu theksoi se çdokush kur është Vllaznia keq duhet të kritikojë dhe jo të hezitojnë të flasin, pasi kritika është përmirësim i punës.

Për ish-mesfushorin shkodran, skuadra në ndeshjen e fundit i ka lënë një shije shumë të keqe, por gjithashtu sipas fjalëve të tij, çdo ekip mund të gjykohet për ecurinë pas 7-8 javëve të para të kampionatit, teksa shtoi se është akoma herët dhe sezoni është ende shumë i gjatë. Poashtu, Xhahysa u shpreh se priste një Vllazni ndryshe në fushën e lojës, ndërsa theksoi se në ndeshjen me Egnatian futbollistët ishin të pamobilizuar.

“Kritika është përmirësimi i punës. Nëse një punë do ta vlerësosh, do ta kritikosh. Pa kritikë, unë nuk e kuptoj se si mund të ecësh. Gjithsesi, për sa i përket takimit të fundit të Vllaznisë, normalisht më la një shije shumë të keqe. Prisja një Vllazni ndryshe, duke parë tre javët e para, por të them të drejtën pashë edhe futbollistë të pamobilizuar.

E kam deklaruar edhe më parë që, Gurishta është duke marrë përsipër disa gjëra më tepër se duhet. Gurishta është edhe kapiten, pra një lider dhe një fytyrë e ekipit. Në fushë është trajner. Kështu e logjikojmë ne trajnerët në fushë kapitenin, pra është trajner. Kur prej kapitenit bëhen këto gabime, çfarë mund të pres prej të tjerëve?

Çdo veteran, çdo trajner, çdo ish-futbollist që është, duhet të kritikojë, të kritikojë dhe vetëm të kritikojë atëherë kur duhet. Vetëm me kritika mund të ecet përpara. Në qoftë se, këtu nuk ecet kështu, nuk është bërë punë. Shoh shumë komente nëpër internet, shumë njerëz që nuk kanë ndoshta edhe lidhje me pjesën e futbollit, duan të bëjnë edhe trajnerin, edhe shumë gjëra të tjera.

Tani, dua të hyj në detaje te ndeshja e Vllaznisë. Unë nuk mund ta quaj situatë katastrofike. Pse? Eshtë java e katërt dhe çdo ekip, jo Vllaznia, por çdo ekip tjetër ka luhatjet e veta, sidomos te 7-8 javët e para. Vijnë pas një faze përgatitore, vijnë pas një ngarkese muskulare dhe shumë gjëra të tjera. Poashtu, duhet të largohemi prej shumë blerjeve, që jemi duke bërë çdo vit.

Këtu është gabimi për mendimin tim. Pse? Kur ka ardhur Josa në fillim kam thënë dhe do të vazhdoj për ta thënë që është luks për Vllazninë, ashtu siç e kam thënë edhe për trajnerin gjerman, Brdariç. Megjithatë, këto blerjet e shumta e bëjnë për të shkuar ekipin në këtë pikë ku është sot. Unë kam thënë edhe për ndeshjen me Tiranën që nuk më pëlqeu Vllaznia. E them sinqerisht. Fituam dhe ka shumë vite që kemi fituar me Tiranën, por për sa i përket pjesës së gjendjes së ekipit, nuk është e rëndë gjendja. Eshtë java e katërt. Ka kampionat dhe është shumë i gjatë, por duhet të vendosen shumë pika mbi i.

Vllaznia ka edhe dy mungesa të rëndësishme të ekipit, komplet një krah është mangut, si Latifi, si Hakaj. Pra, nuk është e paktë dhe je duke luajtur me një djalë të ri, i pasigurtë dihet ajo. Ne kemi qenë vetë futbollistë dhe e dijmë një gjë të tillë. T’i lëmë mungesat, sepse në ekip edhe një po të mungojë çalon, sepse prishet zinxhiri.

Megjithatë, problemi që mua më shqetëson dhe më shqetëson vazhdimisht është që Vllaznia edhe kur është në fitore, e lëshon lojën. Edhe kur pësojmë gol, Vllaznia prapë lëshon lojën. Kjo për mua tani është shqetësim i madh. Nuk është humbja sa është kjo. Ekipi duhet ta ketë atë forcë dhe siguri. Këtë nuk e ka ekipi jonë.

Eshtë vazhdë edhe e kampionatit të vjetshëm, jemi koshientë për kampionatin e vjetshëm, por duhet të ulet koka, duke filluar nga trajneri Josa e deri te Gurishta, të gjithë me rradhë, sepse më duket ndaj Egnatias u futën me mendje të madhe në fushën e lojës. Unë e them këtë pjesë, sepse nuk pashë asgjë për 90-minuta. Nuk pashë një reagim, nuk pashë një kombinim. Po t’i merresh golat nga krahu i Gurishtës erdhën.

Pse Gurishta duhet të marrë përsipër gjëra që nuk i takojnë. Gurishta duhet të bëjnë atë pjesë që i ka dhënë trajneri Josa. Të zbatojnë njëherë detyrën e vet që ka, pastaj të mendojnë për pjesën përpara, duke e ditur që ke dy mungesa shumë të mëdha, komplet një krah. Pra edhe loja e Vllaznisë dihej se do të bazohej komplet në krahun e Gurishtës. Dy qendërmbrojtësit, Juriç dhe Bulatoviç, për mua shumë gabime, në maksimum.

Vllaznisë i mungon zemra e ekipit. Vllaznisë i mungon një numër 8-sh dhe 10-sh, jo me numër, por me role. Vllaznia nuk ka një organizator të mirëfilltë. Vllaznia nuk ka një futbollist për ta nxjerrë topin te porta dhe prandaj kemi mangësi. Po t’i marrësh katër ndeshjet, shumë pak raste ka”,-mbylli prononcimin e tij, ish-futbollisti i Vllaznisë, Altin Xhahysa.
Maringlen ZHIVANI