Laçi-Vllaznia do jetë dueli i shumë pritur i kësaj jave në Superligë. Një derbi verior mes dy skuadrave që kanë prodhuar duele interesante në sezonet e shkuara.
Ku edhe kësaj rradhe pritet një ndeshje e fortë duke parë edhe pretendimet madhore që kanë dy skuadrat. Por një prej të cilëve pritet shumë në kampin shkodran është Ante Aralica.
Sulmuesi kroat u prezantua në futbollin tonë pikërisht në duelin kundër Laçit. Në ndeshjen e parë të fituar nga Vllaznia në shifrat 3-5 në Kurbin, 25-vjeçari ishte njeriu i ndeshjes. Kjo pasi dhuroi asist për një gol të Da Silvas e po ashtu gjeti edhe rrugën e rrjetës vetë. Madje edhe niveli i lojës që shfaqi shtatlarti “ngrohu” tifozët shkodranë.
Kjo duke menduar se ishte gjetur sulmuesi i duhur pas shumë e shumë kohësh tek shkodranët. Por në javët pasuese performanca e kroatit nuk arriti kurrë në nivelin e debutimit të tij kundër Laçit. Ish-sulmuesi i Lokomotivës së Zagrebit nuk arriti të shënonte në vazhdimësi, madje duke humbur edhe raste flagrante.
Deri më tani ai numëron vetëm 5 gola në kampionat, ku pritshmëritë ndaj tij ishin shumë të mëdha. Megjithatë cilësitë e sulmuesit janë aty, pavarësisht “ngërçit” të tij para portës për momentin.
Tashmë shpresohet që bardhezinjtë të jenë sërish fatsjellës për kroatin që duhet të rikthehet tek golat për të ndihmuar skuadrën në objektivat që ka.
Endri ÇINARI