Merkato e verës ka sjellur edhe lëvizje të tjera në ditët e fundit. Ditën e djeshme, mesfushori shkodran, Suad Bega u zyrtarizua tek skuadra e Labërisë. Për “Shkodra Sport” ai flet në mënyrë ekskluzive për këtë lëvizje ku shprehet se është i emocionuar dhe gati për këtë aventurë.

Bega tha: “Të them të drejtën që pas kësaj lëvizjeje ndihem shumë mirë. Kjo pasi projekti i drejtuesve të Labërisë është ambicioz. Synohet kalimi në Kategorinë e Parë dhe prandaj edhe u binda për këtë lëvizje.

Largimi nga Veleçiku ? Nuk kisha ndonjë arsye pse u largova nga koplikasit. Thjesht doja një eksperiencë të re në karrierën time. Veleçikut patjetër që i uroj suksese në sezonin e ri.

Objektivat? Për mua personalisht janë që të paraqitem sa më mirë dhe ta ndihmoj skuadrën në realizimin e objektivave të saj gjatë edicionit”.
Endri ÇINARI