Së pari, si njeri i hershëm i sportit, kam qenë dhe do të mbetem armik i betuar i dhunës në sport, armik i ndërhyrjeve të politikës në të dhe armik ndaj delenxhinjve, xhambazëve, matrapazëve e bythëshiturve… që fatkeqësisht kanë vite që janë në krye të futbollit shqiptar.
Por ajo ç’ka ndodhi dje, më 29 gusht 2026, në Elbasan, në ndeshjen e javës së dytë të Superligës shqiptare, të detyron vërtet të dalësh nga vetja. Ndaj, së pari, ju kërkoj një lloj ndjese të gjithëve.
FSHF-së… që nuk e di me çfarë lloj guximi e mendësie ka dalë “all ready” me një komunikatë publike, ku paralajmëron dënime të rënda për Shkodrën, Vllazninë, presidentin e saj, Xhaferin, trajnerin Martini e ndoshta edhe ndonjë futbollist të saj, duke ia sjellë në vëmendje se, përpara vendimeve të saj të ashpra anti-Vllazni, duhet të mbajë parasysh dhe të prononcohet publikisht për sa më poshtë:
…Kalohet vija e kuqe kur goditet një zyrtar i ndeshjes… OK… por si i bëhet kur jo një, por disa zyrtarë të ndeshjes guxojnë e kalojnë edhe Ylberin?
Dhe fjala është për gjyqtarin Dorian Maletaj, për asistentin e tij Ergys Spahiu, për krye-VAR-istin Kreshnik Bajramaj… të cilët janë autorët dhe fajtorët që jo vetëm e prishën dhe e hodhën në erë ndeshjen në fjalë, të cilën e pashë live në TV, por janë gjithashtu përgjegjësit kryesorë për gjithçka ndodhi më pas, pas ndeshjes.
Para se të dënoni Vllazninë, shihni me kujdes mosdhënien e një kartoni të kuq nga ana e gjyqtarit të ndeshjes për një ndërhyrje horror të një futbollisti elbasanas në dëm të një futbollisti shkodran.
Shihni e analizoni me kujdes e përgjegjësi faktin se kush lejoi që të mbushej plot tribuna e stadiumit në Elbasan, kur në fuqi ishte dënimi ndaj vendasve për një stadium të boshatisur.
Kush lejoi që gjatë gjithë ndeshjes huliganët tifozë të shanin non-stop, me fjalor rrugaçëror, e të kërcënonin vazhdimisht lojtarët, të gjithë stafin teknik dhe pankinën e Vllaznisë?
Si mund t’u anulohen aq lehtësisht shkodranëve dy gola në pesë minutat e fundit, teknikisht dhe sipas rregullores, shpjegimit e interpretimit të saj, kur të dy janë mëse të rregullt… e aq më shumë kur ndeshja ishte 1-1 dhe të dyja ekipet po luftonin për fitoren?
Si mund ta ndëshkosh me kartonin e kuq një trajner vetëm e vetëm pse të tregon ty, me të drejtë, shenjën e VAR-it?
Si mund të turren tifozëria vendase për të dhunuar fizikisht futbollistin dhe shënuesin e një goli, më pas të anuluar, Mustën, që vjet ka luajtur për ta e sivjet luan për shkodranët… dhe policia të mos ndërhyjë fare?
Si mundet që, në gjithçka ndodhi pas ndeshjes, policia të ishte palë dhe në mbrojtje të dhunuesve, duke i lënë viktimat në mëshirë të fatit?
Dhe ju mbroni arbitrin e jo futbollistin… dhe ju kërkoni të dënoni Vllazninë e krejt Shkodrën e jo huliganizmin, paaftësinë ose rrugaçërinë profesionale, siç më pëlqen mua ta quaj në rastin konkret?
Si mund ta lejojë prej kohësh FSHF-ja RTSH-në të ketë ende si moviolist të saj një farë Klajdi Kola, joprofesional, sharlatan, palaço e karagjoz, servil e bythëshitur, që në të gjitha prononcimet e tij publike jo vetëm që gabon rëndë profesionalisht dhe këtë e bën qëllimisht e për interesa të tijat të pista, por vazhdimisht i hedh edhe benzinë zjarrit?
Si mundet FSHF-ja të çojë si vëzhgues të saj në një ndeshje kaq delikate si kjo Bujar Pregjen, tashmë të njohur për përplasjet e tij të hershme e ndër vite me shkodranët… për shumë arsye të mirëditura?
Bujar… ti, si vëzhgues i FSHF-së në këtë ndeshje, në bashkëfajësi edhe me gjyqtarin Maletaj, pse lejuat dhe pse pranuat që ndeshja të luhej me tifozë, kur dihej që prania e tyre dhe stadiumi i tyre ishte i mbyllur e i dënuar për ta me një vendim të mëparshëm të Komisionit të Disiplinës pranë FSHF-së?
…E së fundi, thjesht për kujtesë, se mu kujtua ai nëntor i largët i vitit 1987, kur Vllazninë e sapokthyer nga Finlanda, pas ndeshjes së kthimit me Rovaniemin për Kupat e Europës, e ku në Athinë qëndruan (u arratisën) dy futbollistë të saj, A. Hoxha e L. Bersheni, partia-shtet dhe federata e asaj kohe u hodhën në sulm frontal për ta dënuar e shkatërruar me themel.
Dhe e dënuan… dhe e bënë “shembull”. Dënuan kanibalisht një qytet të tërë, një klub e një fanellë me tradita e histori në futbollin shqiptar… një Vllazni, djep të futbollit shqiptar… Sa turp!
Druaj (dhëntë Zoti JO) që edhe këtë radhë i njëjti skenar ogurzi është në lojë.
Si njeri i hershëm i sportit dhe i futbollit në veçanti, unë personalisht mbetem fort në krah e në mbështetje të Vllaznisë e të Shkodrës dhe kundër kësaj FSHF-je totalisht antifutboll e të korruptuar kokë e këmbë, armike e futbollit shqiptar me A. Duken në krye… e sigurisht edhe kundër mercenarëve, pjesë e saj dhe me pagesë, që po hedhin në erë prej vitesh krejt futbollin shqiptar, duke e bërë kaq pis historinë e tij.


