Humbja përballë Dinamos ka kthyer Flamurtarin në vendin e tretë të renditjes dhe kjo mund të sjellë pasoja në klubin kuqezi. “Panorama Sport” ka mësuar se ndonëse janë javët e fundit të sezozit, në kubin vlonjat po mendohet një ndryshim trajnerësh.

Braziliani Marcelo Troisi rrezikon tashmë seriozisht vendin e tij, pasi presidenti SInan Idrizi ka filluar që të mendojë për ta zëvendësuar atë në pankinë në fundin e edicionit ku kërkon me çdo kusht ngjitjen në Superiore. “Panorama Sport” mëson se nesër do të ketë një takim mes palëve për të kuptuar të ardhmen dhe drejtimin që do të marrë skuadra.

Por ndërkohë, Idrizi ka bërë gjithçka gati për një zëvendësim të mundshëm të brazilianit, pasi ka takuiar sot italianin Diego Longo. Trajneri i cili drejtoi Kukësin në sezonin e kaluar, sot ishte i pranishëm në stadium për të parë ndeshjen kundër Dinamos dhe është në bisedime me drejtuesin e vlonjatëve për kushtet e një bashkëpunimi mes tyre.

Gjithçka do të mësohet vetëm ditën e nesërme, por duket qartësisht se humbja e fundit ka turbulluar shumë situatën në Vlorë, ku mund të ketë ndryshime të rëndësishme pak javë para fundit të sezonit të rregullt.